Trafik i rëndë Tiranë-Elbasan e Tiranë-Durrës

Radhë kilometrike në aksin Tiranë – Elbasan dhe autostradën Tiranë – Durrës, qytetarja për Shekullin: Kemi një orë në trafik, ka fëmijë e të moshuar

Radhë kilometrike makinash janë shënuar këtë mbrëmje në akset Tiranë – Elbasan, para se të mbërrihej në rrethrrotullimin e Bradasheshit. Gjithashtu, trafik i rënduar paraqitet edhe në autostradën Tiranë – Durrës, pranë mbikalimit të Rinasit.

Në redaksinë e “Shekullit” ka mbërritur një ankesë nga një qytetare, e cila thotë se prej një ore kanë mbetur në trafik dhe nuk po mund të futen dot në Elbasan, teksa asnjë patrullë policie nuk shihet në terren.

“Kemi një orë që trafiku nuk lëviz fare pranë Bradasheshit. Nuk po shoh patrulla policie dhe temperaturat janë të larta. Mos harrojmë që ka të moshuar dhe fëmijë në makina”, tregon ajo mes të tjerash.

Qytetarët po qëndrojnë për orë të tëra të bllokuar në temperatura të larta, mes tyre familje me fëmijë, të moshuar dhe pushues që po përpiqen të largohen nga kryeqyteti në fundjavë.

Çdo verë dhe në datat e festave përsëritet i njëjti skenar: mijëra njerëz humbasin orë të tëra në trafik, ndërsa institucionet nuk kanë marrë masa efikase. Për qytetarët, pushimet nisin me stres, vapë dhe pritje të pafund, në një vend ku lëvizja në fundjavë është kthyer në provë durimi.

Scroll to Top