Ebola alarmon Kongon, mbi 4 mijë raste. Autoritetet nisin kërkimin derë më derë
Epidemia e Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos po përshkallëzohet me ritme alarmante, duke kaluar 4 mijë rastet. Autoritetet shëndetësore kanë paralajmëruar se koha për masa graduale ka përfunduar dhe po përgatiten të kalojnë në një fazë të re, me kontrolle derë më derë për identifikimin e pacientëve.
Shpërthimi, i shkaktuar nga varianti Bundibugyo i virusit Ebola, u raportua për herë të parë më 15 maj, megjithëse autoritetet dyshojnë se transmetimi mund të ketë nisur që në janar. Deri më 4 gusht ishin regjistruar 3,973 raste dhe 1,801 viktima. Drejtuesi i Qendrave Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (Africa CDC), Dr. Jean Kaseya, konfirmoi se tashmë numri i rasteve ka kaluar 4 mijë.
Sipas autoriteteve, ky është shpërthimi i dytë më i madh i Ebolës i regjistruar ndonjëherë. Përmasat e tij janë shumë më të mëdha se ato të regjistruara në të njëjtën fazë të epidemisë së Afrikës Perëndimore të viteve 2014-2018, e cila në total infektoi më shumë se 28 mijë persona dhe shkaktoi të paktën 11 mijë vdekje.
Dr. Kaseya ka diskutuar situatën me drejtuesin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus. Janë planifikuar studime për të verifikuar nëse ekzistojnë faktorë të tjerë që ndikojnë në përhapjen e virusit apo nëse ky i fundit ka pësuar ndryshime.
Alarmi është shtuar edhe nga niveli i lartë i transmetimit të pazbuluar. Më shumë se dy të tretat e viktimave nga Ebola ndodhin në komunitete dhe jo në qendrat e trajtimit. Në një qendër të drejtuar nga Mjekët pa Kufij në Bunia, rreth 90% e pacientëve të shtruar nuk figurojnë në listat e kontakteve të rasteve të njohura.
Gjurmimi i kontakteve konsiderohet gjithashtu i pamjaftueshëm. Sipas Africa CDC, aktualisht identifikohen rreth 10 kontakte për çdo pacient me Ebola, ndërsa numri i pritshëm është rreth 40.
Ebola shkakton një sëmundje të rëndë virale, e cila mund të manifestojë temperaturë të lartë, të vjella, diarre, dëmtim të organeve dhe gjakderdhje të brendshme.
Shpërthimi është përqendruar kryesisht në provincën Ituri, por është raportuar edhe në zona të tjera të vendit, përfshirë Kivu Verior, Kivu Jugor dhe provinca të tjera. Në Ugandën fqinje janë raportuar 20 raste përpara se situata atje të vihej nën kontroll.
Përballë përhapjes së shpejtë, ekipet e reagimit po ndryshojnë strategji. Punonjësit shëndetësorë pritet të kalojnë nga gjurmimi tradicional i kontakteve te gjetja aktive e rasteve, duke shkuar derë më derë për të pyetur familjet për persona me simptoma të dyshimta.
“Koha për veprime graduale ka mbaruar”, deklaroi Dr. Wesham Mankula, zëvendësdrejtor i Africa CDC, duke njoftuar fillimin e fazës së përshkallëzimit të masave. Autoritetet kanë paralajmëruar gjithashtu përdorimin e remdesivirit për trajtimin e pacientëve.
Sipas zyrtarëve të shëndetësisë, masat tradicionale të shëndetit publik nuk do të mjaftojnë për ta ndalur shpejt epideminë.
Ndërkohë, autoritetet kongoleze po hetojnë një vdekje të dyshuar nga Ebola në një anije që po udhëtonte drejt kryeqytetit Kinshasa nga verilindja e vendit. Pasagjerët e tjerë pritet të karantinohen dhe t’u nënshtrohen testimeve.
UNICEF ka paralajmëruar se shpërthimi po ndikon edhe në shërbimet bazë shëndetësore, pasi frika nga infektimi dhe ndërprerjet e shërbimeve po bëjnë që shumë familje të shmangin klinikat.
