AIDA nis fushatën kombëtare për mbështetjen e SME-ve, në 10 bashki të vendit
Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) ka nisur një fushatë kombëtare informuese dhe promovuese dedikuar ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (SME). Kjo iniciativë realizohet në bashkëpunim me 10 bashki të vendit dhe Korporatën Shqiptare të Investimeve (AIC).
Fushata ka për qëllim t’u ofrojë bizneseve informacion dhe mundësi konkrete lidhur me financimet, eksportet, përputhshmërinë me standardet e Bashkimit Europian (BE), çështjet tatimore dhe TVSH-në, si dhe pjesëmarrjen në panaire dhe evente ndërkombëtare.
Nëpërmjet sesioneve informuese, të organizuara në bashkëpunim me bashkitë dhe AIC, SME-të do të kenë mundësinë për:
- Akses të drejtpërdrejtë në programet mbështetëse.
- Mundësi promovimi ndërkombëtar përmes platformës Kompass.
- Informacion mbi mundësi të reja për rritjen dhe zhvillimin e tyre.
Fushata do të zhvillohet në dy faza:
- Shtator–dhjetor 2026: Aktivitetet do të mbahen në Durrës, Elbasan, Fier, Vlorë dhe Gjirokastër.
- Janar–prill 2027: Aktivitetet do të vazhdojnë në Korçë, Berat, Kukës, Lezhë dhe Shkodër.
Nisma “#aidaXbashkitë”, e cila mbështetet nga AIDA, projekti EEN Albania dhe bashkitë pjesëmarrëse, synon të forcojë lidhjen mes institucioneve dhe komunitetit të biznesit. Qëllimi kryesor është krijimi i më shumë mundësive për SME-të, në mënyrë që ato të rriten, të jenë më konkurruese dhe të orientohen drejt tregjeve ndërkombëtare.
