VIDEO/ Sulm me dron, merr flakë rezervuari me 4.5 milionë litra benzinë në Libi
Një rezervuar i madh për ruajtjen e benzinës, i vendosur në kompleksin e rafinerisë së Zawiya, në perëndim të Libisë, mori flakë dhe u shemb plotësisht të hënën në mbrëmje, pasi u godit në rrethana ende të paqarta.
Autoritetet libiane kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme maksimale në zonë, pas një serie sulmesh të raportuara ndaj objekteve të industrisë së naftës.
Sipas Kompanisë Kombëtare të Naftës së Libisë (NOC), rezervuari numër 402-T, në pronësi të Brega Oil Marketing dhe i përdorur për ruajtjen e benzinës, u vu në shënjestër drejtpërdrejt më 10 gusht.
Goditja shkaktoi një zjarr të fuqishëm, ndërsa rezervuari u shemb tërësisht. Në të ndodheshin rreth 4.5 milionë litra benzinë, duke e bërë incidentin veçanërisht serioz për shkak të rrezikut që paraqiste për instalimet e tjera të naftës, objektet fqinje dhe zonat përreth.
Zjarrfikësit dhe ekipet e mbrojtjes civile ndërhynë menjëherë për të vënë nën kontroll flakët dhe për të ftohur rezervuarët pranë tij, me qëllim parandalimin e përhapjes së zjarrit.
Brega Oil Marketing tha se një vlerësim i dëmeve është duke u kryer.
Rafineria e Zawiya-s është një nga instalimet më të rëndësishme të përpunimit të naftës në Libi, me kapacitet deri në 120 mijë fuçi naftë të papërpunuar në ditë. Ajo ndodhet rreth 45 kilometra në perëndim të Tripolit.
Incidenti vjen pas disa sulmeve të tjera të raportuara ditët e fundit ndaj infrastrukturës energjetike në Zawiya. Sipas raportimeve, të shtunën ishte goditur një objekt magazinimi nafte, ndërsa të dielën një impiant për shkripëzimin e ujit.
