Trump u largua në mënyrë të fshehtë nga samiti në Ankara, dyshohet për kërcënim nga Irani.
Presidenti amerikan Donald Trump ndërroi fshehurazi avionin gjatë largimit nga samiti i NATO-s në Turqi muajin e kaluar, pas një kërcënimi të mundshëm iranian ndaj avionit të tij, raportojnë mediat amerikane.
Sipas “Washington Post”, Trump u pa duke hipur në Air Force One përpara kamerave televizive, por më pas u largua në mënyrë të fshehtë nga avioni presidencial dhe u transferua në një avion ushtarak më të vogël, C-32A. Operacioni u krye përmes një kamioni ushqimi të ngritur në nivelin e avionit, në anën tjetër të mjetit, në mënyrë që lëvizja të mos vihej re.
Zyrtarë amerikanë i thanë CBS News se autoritetet kishin zbuluar një kërcënim të besueshëm iranian për të qëlluar një raketë drejt avionit të presidentit. Shtëpia e Bardhë nuk e ka konfirmuar zyrtarisht ndërrimin sekret të avionit.
Trump kishte deklaruar më herët se ishte “objektivi numër një” i Iranit gjatë samitit në Ankara.
Sipas raportimeve, më 8 korrik Trump u filmua duke hipur në Air Force One në aeroportin e Ankarasë. Gazetarët dhe disa pjesëtarë të stafit të Shtëpisë së Bardhë hipën gjithashtu në avion dhe u është kërkuar të mbyllnin perdet e dritareve. Ata nuk ishin në dijeni se presidenti ishte larguar nga avioni.
Ndërkohë, Trump u transportua drejt C-32A, një Boeing 757 i modifikuar që përdoret shpesh nga nënpresidenti amerikan. Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, hipi në avion veçmas, përmes shkallëve të jashtme, në përpjekje për ta bërë fluturimin të dukej normal.
Trump më pas udhëtoi drejt Mbretërisë së Bashkuar, ku u transferua sërish në avionin e vjetër Air Force One dhe u pa duke zbritur prej tij pas uljes në RAF Mildenhall. Më vonë, ai u transferua në avionin e ri presidencial, të dhuruar nga Katari, për të vijuar udhëtimin drejt Uashingtonit.
Gjatë fluturimit, Trump foli me gazetarët për kërcënimet iraniane, por nuk përmendi ndërrimin e mëparshëm të avionit. I pyetur se përse gazetarëve u ishte kërkuar të mbyllnin perdet gjatë fluturimit nga Turqia, Trump u përgjigj: “Sepse ndoshta jeni në një fluturim të rrezikshëm për shkak të mashtruesve me të cilët duhet të merremi”. Ai tha gjithashtu se kishte një “kërcënim gjatë gjithë kohës” ndaj jetës së tij dhe përsëriti se ishte “numri një” në listën e Iranit.
“Por nëse unë shkoj, edhe ti shkon, apo jo?”, u tha Trump gazetarëve, duke shtuar: “Ndoshta një ditë do të duash të ndryshosh profesion”.
Drejtori i komunikimit i Shtëpisë së Bardhë, Steven Cheung, nuk i konfirmoi dhe as nuk i mohoi drejtpërdrejt raportimet. Ai deklaroi se Air Force One i ri është një avion i teknologjisë së fundit, i pajisur me masa sigurie për të mbrojtur presidentin dhe stafin e tij.
Ndërkohë, inteligjenca amerikane kishte paralajmëruar më herët për një kërcënim specifik ndaj Trumpit ose avionit të tij, sipas raportimeve të CBS News.
“New York Times” kishte raportuar më parë për shqetësimet e sigurisë lidhur me avionin e ri të dhuruar nga Katari. Sipas raportimeve, Shërbimi Sekret i kishte kërkuar Trumpit të ndërronte avion pas kthimit nga samiti i NATO-s.
SHBA-ja ka shpenzuar muaj për të përshtatur Boeing 747-8 të dhuruar nga Katari, me vlerë rreth 400 milionë dollarë, për përdorim presidencial. Ndërkohë, avionët aktualë të Air Force One kanë sisteme të avancuara mbrojtëse, përfshirë teknologji lazerike kundër raketave hyrëse. Nuk është bërë e qartë se cilat sisteme të tilla janë instaluar në avionin e dhuruar nga Katari.
Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se avioni i ri është i sigurt për udhëtimet presidenciale, por do t’i nënshtrohet përmirësimeve të tjera gjatë vjeshtës, punime që pritet të zgjasin rreth një muaj.
