Tërmet i fortë në Kolumbi, Airbus A320 tronditet në pistë gjatë tërmetit 7.4 ballë
Momente paniku u regjistruan brenda kabinës së pilotit të një avioni Airbus A320, teksa një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.4 goditi Kolumbinë. Avioni ndodhej në Aeroportin Ndërkombëtar Matecaña, në Pereira, dhe po përgatitej për ngritje kur nisën lëkundjet e forta.
Pamjet e publikuara nga media kolumbiane El Tiempo tregojnë Airbus A320 duke u lëkundur fuqishëm ndërsa ndodhej në pistë. Sipas raportimeve, dridhjet zgjatën rreth 46 sekonda, duke shkaktuar momente frike dhe tensioni mes personelit dhe pasagjerëve.
Pavarësisht intensitetit të tërmetit, pas përfundimit të lëkundjeve avioni vijoi procedurat e planifikuara dhe u ngrit nga aeroporti i Pereira-s.
Tërmeti shkaktoi dëme edhe në infrastrukturën e aeroportit. Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë shembjen e një pjese të çatisë në një zonë ku ndodheshin disa persona. Të dhënat paraprake nga autoritetet lokale flasin për viktima dhe dëme të konsiderueshme.
Pamjet nga kabina e Airbus A320, ku avioni tronditet fuqishëm ndërsa ndodhet në pistë, kanë bërë xhiron e rrjeteve sociale dhe tregojnë qartë forcën e lëkundjeve.
