“`html
Si po përfiton qeveria nga rënia e euros; Pesha e borxhit në valutë, në nivelin më të ulët të dekadës
Forcimi i vazhdueshëm i Lekut në kursin e këmbimit po ndikon në mbajtjen e borxhit publik në valutë të huaj pranë niveleve më të ulëta të paktën për një dekadë.
Sipas Ministrisë së Financave, rreziku i kursit të këmbimit, i shprehur si raporti i borxhit në monedhë të huaj ndaj totalit të borxhit publik, në mesin e këtij viti ishte 40.1%. Ky nivel është pothuajse i njëjtë me fundin e vitit të kaluar dhe shënon një rënie nga niveli 40.9% i një viti më parë.
Në vlerë absolute, borxhi i jashtëm neto në mesin e vitit 2026 ishte rreth 5.6 miliardë euro, duke u ruajtur afërsisht në të njëjtat nivele me fundin e vitit të kaluar. Teprica e borxhit të jashtëm, e shprehur në Euro, është relativisht e qëndrueshme që prej vitit 2024.
Megjithatë, efekti i kursit të këmbimit ka ulur si vlerën e borxhit në Lekë, ashtu edhe peshën e tij në strukturën e borxhit të përgjithshëm publik. Kursi i këmbimit Euro-Lek ka shënuar një rënie të përshpejtuar gjatë vitit 2026. Në fund të qershorit, kursi Euro-Lek pësoi një rënie prej 2.7% krahasuar me fillimin e vitit, ndërsa rënia është thelluar më tej gjatë muajve korrik dhe gusht.
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, edhe tregues të tjerë të rrezikut të borxhit publik paraqiten në përmirësim:
- Rreziku i rifinancimit të borxhit të brendshëm publik, i shprehur si vlera e borxhit të brendshëm që maturohet brenda një viti ndaj totalit, në fund të qershorit arriti në 33.4%. Ky tregues është në rënie nga niveli prej 40.9% i një viti më parë dhe aktualisht ndodhet në nivelin më të ulët historik.
Gjatë dekadës së fundit, Ministria e Financave ka ndjekur një strategji të zgjatjes graduale të maturitetit të borxhit publik, me qëllim kryesor uljen e rrezikut të rifinancimit dhe përfitimin nga cikli i normave të ulëta të interesit. Në mesin e këtij viti, maturiteti mesatar i instrumenteve të borxhit të brendshëm u rrit në 1179 ditë, nga 1002 ditë që kishte qenë në fund të vitit 2025. Kjo rritje tregon përdorimin më të madh të instrumenteve me maturim afatgjatë.
Në strategjinë afatmesme të menaxhimit të borxhit, 2025-2029, Ministria e Financave vlerëson të nevojshëm vazhdimin e masave për reduktimin e mëtejshëm të ekspozimit ndaj rrezikut të rifinancimit, duke synuar rritjen e përqendrimit të titujve afatmesëm dhe afatgjatë në portofolin e borxhit të brendshëm.
Gjithashtu, rreziku i normave të interesit, i shprehur si përqindja e borxhit që rifiksohet brenda një viti kundrejt totalit të borxhit publik, zbriti në 33.4%, nga 41% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në tre vitet e fundit, borxhi publik i Shqipërisë po ndjek një tendencë rënëse, e mbështetur nga forcimi i Lekut në kursin e këmbimit dhe një politikë fiskale më e konsoliduar, me deficite buxhetore më të ulëta. Pasi arriti një nivel rekord prej më shumë se 74% të PBB-së në vitin 2021, borxhi publik ka ardhur në rënie dhe në mesin e këtij viti zbriti në 54.02% të PBB-së.
“`
