Të ardhurat doganore për korrikun arrijnë në 23.5 miliardë lekë, 223 milionë lekë më shumë se një vit më parë.
Të ardhurat doganore për muajin korrik 2026 janë realizuar në shumën prej 23.5 miliardë lekësh, duke shënuar një rritje prej rreth 223 milionë lekësh krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2025.
Kjo ecuri pozitive mbështetet nga performanca e zërave kryesorë të të ardhurave, siç janë taksat doganore, akciza neto, TVSH-ja dhe renta minerare.
- Të ardhurat nga taksat doganore janë rritur me rreth 19 milionë lekë.
- Akciza neto ka shënuar një rritje prej rreth 48 milionë lekësh, ku ndikim kryesor ka pasur sektori i karburanteve, me rreth 126 milionë lekë më shumë.
- Të ardhurat nga TVSH-ja janë rritur me rreth 108 milionë lekë. Kjo rritje është ndikuar kryesisht nga performanca e karburantit të importit (me rreth 619 milionë lekë më shumë), gazit (me rreth 111 milionë lekë) dhe veshjeve/tekstileve (me rreth 107 milionë lekë).
- Edhe renta minerare ka shënuar rritje, me rreth 51 milionë lekë. Kjo është pasojë e rritjes së sasive të eksportuara të naftës bruto dhe mineraleve të tjera, respektivisht me rreth 7 milionë lekë dhe 44 milionë lekë.
Performanca e muajit korrik vijon trendin pozitiv të të ardhurave doganore gjatë vitit 2026.