VIDEO/ Tragjedi në Egjipt: Përplasje dy kamionësh me punëtorë bujqësorë, 18 viktima
Të paktën 18 persona kanë humbur jetën në një aksident të rëndë rrugor të ndodhur në veri të Egjiptit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur kur dy kamionë të vegjël, të cilët transportonin punëtorë bujqësorë, janë përplasur me njëri-tjetrin.
Ky aksident ka shkaktuar tronditje të madhe, ndërsa të dhënat paraprake tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e viktimave ishin të mitur.
Sipas një burimi mjekësor, të cituar nga agjencia AFP, shumica e personave të vdekur ishin adoleshentë të moshës 13 dhe 14 vjeç. Ndërkohë, media egjiptiane Al-Masry Al-Youm raportoi se viktima më e re ishte vetëm 10 vjeç.
Autoritetet kanë nisur menjëherë hetimet për të zbardhur rrethanat e aksidentit dhe për të përcaktuar shkakun e kësaj përplasjeje tragjike.
