Alarmi bërthamor në Siri: Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike ndërhyn për të larguar material sekret të regjimit të Asadit
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) pritet të fillojë së shpejti largimin e materialit bërthamor të ruajtur në një objekt sekret në Siri, pas një marrëveshjeje të arritur me qeverinë e re siriane.
Sipas zyrtarëve amerikanë dhe izraelitë, të cituar nga Axios, marrëveshja është arritur pas muajsh negociatash të fshehta, ku kanë qenë të përfshira administrata e Donald Trump dhe IAEA. Synimi kryesor është sigurimi i materialit dhe shmangia e një përshkallëzimi të mundshëm të tensioneve mes Sirisë dhe Izraelit.
Objekti në fjalë, i njohur si “Site 99”, dyshohet se përmban materiale të mbetura nga programi i fshehtë bërthamor i regjimit të Bashar al-Assadit. Mes tyre raportohet se ndodhet edhe “yellowcake”, një formë e koncentruar uraniumi që mund të përpunohet më tej.
Programi bërthamor sirian pësoi dëmtime të rënda në vitin 2007, kur Izraeli bombardoi reaktorin e fshehtë Al-Kibar. Pavarësisht kësaj, materiale dhe mbetje të lidhura me programin dyshohet se kanë mbetur të ruajtura në disa objekte.
Zyrtarë amerikanë theksojnë se materiali i gjetur në “Site 99” nuk mund të përdoret drejtpërdrejt për ndërtimin e një arme bërthamore, por mund të shfrytëzohet për një pajisje që shpërndan material radioaktiv, e njohur si “bombë e ndyrë”.
Izraeli kishte paralajmëruar më parë se nuk do të lejonte që ky material të mbetej i pakontrolluar dhe kishte konsideruar edhe mundësinë e një goditjeje ushtarake ndaj objektit. Në këtë kontekst, administrata Trump ndërhyri në rrugë diplomatike, duke kërkuar që çështja të zgjidhej përmes IAEA-së dhe qeverisë siriane.
Një marrëveshje mes IAEA-së dhe Damaskut është nënshkruar rreth tre javë më parë, ndërsa operacioni për largimin e materialit ende nuk ka filluar zyrtarisht. Sipas një zyrtari amerikan, procesi pritet të nisë së shpejti dhe të përfundojë para fundit të vitit, duke shmangur kështu një krizë të mundshme bërthamore në rajon.
