Fermë të mëdha dominojnë prodhimin e qumështit, fermerët e vegjël po braktisin blegtorinë
Prodhimi vendas i qumështit po përqendrohet gjithnjë e më shumë te fermat e mëdha dhe të organizuara, të cilat po zgjerojnë kapacitetet e tyre. Në të njëjtën kohë, numri i fermave të vogla po bie ndjeshëm.
Përfaqësues të kompanive të përpunimit të qumështit theksojnë se kjo situatë ka sjellë një rritje të ndjeshme të prodhimit vendas të qumështit dhe një furnizim më të qëndrueshëm të tregut.
Sipas tyre, fermerët e vegjël, të cilët mbajnë vetëm 1 ose 2 krerë, po dalin gradualisht nga ky aktivitet. Kjo shpjegohet me daljen në pension të fermerëve mbi moshën 60 vjeç dhe mungesën e interesit nga brezat e rinj për të vazhduar punën në ferma të tilla.
Nga ana tjetër, fermat e mëdha po investojnë në rritjen e numrit të krerëve, teknologjisë dhe përmirësimin e produktivitetit. Shtim të numrit të krerëve ka pasur edhe nga fermat e mesme.
Një drejtues i kompanisë “Erzeni”, e cila merret me prodhimin dhe përpunimin e qumështit, shpjegon situatën:
“Në tërësi, fermat ekzistuese të mëdha po rriten ndjeshëm në kapacitete prodhuese, falë investimeve në teknologji dhe numrit të kafshëve të mbajtura. Në fermën tonë, kapaciteti për mbajtjen e kafshëve arrin deri në 500 lopë, ndërsa aktualisht kemi 380. Për shkak të këtyre investimeve, si në teknologji ashtu edhe në rritjen e numrit të kafshëve, kapaciteti prodhues është rritur me rreth 9 mijë litra qumësht në ditë. Kjo sasi do të kërkonte prodhimin e rreth 1 mijë fermerëve të vegjël, secili me nga 9 litra qumësht në ditë.
Rritja e prodhimit vendas ka ndikuar edhe në uljen graduale të varësisë nga importi i qumështit, duke bërë që ai të mos importohet më. Kjo ka sjellë një përmirësim të ndjeshëm të furnizimit me qumësht nga fermat vendase dhe një stabilizim të prodhimit.”
Sipas të dhënave të INSTAT për vitin 2025, u grumbullua një sasi qumështit prej 101 mijë tonë, duke shënuar një rritje prej 6.9% krahasuar me vitin 2024.
- Qumështi i lopës përbën pjesën më të madhe, me 84 mijë tonë, duke u rritur me 12.5% krahasuar me 2024.
- Qumështi i deles arriti në 9 mijë tonë, me një rritje prej 21.1% krahasuar me vitin 2024.
- Qumështi i dhisë arriti në 8 mijë tonë, duke shënuar një rënie prej 4.3% krahasuar me 2024.
Edhe kërkesa për produkte të bulmetit gjatë sezonit veror paraqitet pozitive. Kompanitë e përpunimit të qumështit raportojnë një rritje të kërkesës nga konsumatorët krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Përfaqësues të kompanisë “Lufra” theksojnë se rritja e kërkesës është e ndikuar kryesisht nga fluksi i turistëve dhe rritja e konsumit në zonat turistike.
Sipas tyre, kombinimi i prodhimit më të lartë të qumështit vendas, falë investimeve në teknologji dhe rritjes së numrit të krerëve në fermat e mëdha, si dhe kërkesës sezonale, po krijon kushte më të favorshme për industrinë e bulmetit.
