MABCO kundërshton MIE, Aeroporti Vlorës bllokohet nga mosmarrëveshjet

## MABCO kundërshton prishjen e koncesionit të Aeroportit të Vlorës, kërkon negociata me MIE

MABCO Constructions ka kundërshtuar zyrtarisht vendimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) për zgjidhjen e parakohshme të kontratës së koncesionit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Kompania i ka kërkuar qeverisë nisjen e negociatave në mirëbesim për zgjidhjen e mosmarrëveshjes.

Në shkresën e saj të depozituar më 10 gusht 2026, MABCO e konsideron zgjidhjen e kontratës “të pabazuar”. Kompania argumenton se një pjesë thelbësore e rrethanave që kanë penguar përfundimin dhe vënien në operim të aeroportit nuk mund t’i atribuohen investitorit.

MIE kishte njoftuar më 3 gusht zgjidhjen e parakohshme të kontratës, duke përmendur si arsye kryesore mosrealizimin e datës së operimit brenda afatit, mos përfundimin e punimeve, mosmbajtjen në fuqi të sigurimit të kontratës dhe mospagimin e penaliteteve. Ministria përmendi gjithashtu konfliktet mes ortakëve të shoqërisë koncesionare dhe marrëveshjen e huadhënies me Delphos Securities si pjesë të problematikave.

MABCO, që zotëron 98% të kuotave të shoqërisë koncesionare Vlora International Airport, kundërshton këtë interpretim. Kompania pretendon se vonesat janë shkaktuar ose rënduar nga veprimet dhe mosveprimet e institucioneve shqiptare. Sipas MABCO-s, Ministria ka qenë prej muajsh në dijeni të situatës dhe është informuar përmes më shumë se 90 shkresave, ku kompania ka kërkuar ndërhyrjen e Autoritetit Kontraktues për rivendosjen e ligjshmërisë, zhbllokimin e administrimit të shoqërisë dhe krijimin e kushteve për vijimin normal të projektit.

Kompania i referohet edhe vendimit nr. 338 të Gjykatës së Lartë, datë 26 maj 2026, sipas të cilit konflikti mes ortakëve nuk mund të shihet vetëm si një mosmarrëveshje tregtare private, por duhet trajtuar edhe në raport me kontratën e koncesionit dhe interesin publik. MABCO pretendon se MIE kishte detyrimin për të ndërhyrë kur konflikti mes ortakëve po pengonte realizimin e projektit.

### Pengesa për aksesin në kantier

Një pikë kyçe e kundërshtimit të MABCO-s lidhet me pengimin e aksesit në kantierin e Aeroportit të Vlorës. Kompania pretendon se përfaqësuesit, punonjësit, inxhinierët dhe specialistët e saj janë penguar të hyjnë në kantier dhe se autoritetet nuk kanë marrë masa të mjaftueshme për rivendosjen e aksesit. Dokumenti thekson se më 18 dhe 19 maj 2026, rreth 200 punonjës të MABCO-s nuk u lejuan të hynin në kantier, edhe pse efektivë të Policisë së Shtetit ishin prezentë. MABCO argumenton se mosndërhyrja e policisë kontribuoi në bllokimin e punimeve dhe vonesat.

Problemet me administrimin e shoqërisë koncesionare gjithashtu kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë në projekt. MABCO kundërshton administrimin e Vlora International Airport nga një administrator i emëruar me votën e ortakut që zotëron vetëm 2% të kuotave, duke pretenduar se kjo ka përjashtuar aksionarin mazhoritar nga vendimmarrja dhe administrimi efektiv. Kjo situatë, sipas kompanisë, ka krijuar pengesa në qeverisjen e shoqërisë, certifikimin e aeroportit, përditësimin e lejes së ndërtimit, pagesat, importin dhe instalimin e pajisjeve, si dhe koordinimin me operatorët ndërkombëtarë.

### Financimi i projektit dhe pajisjet

MABCO kundërshton pretendimin se nuk ka marrë masa për përfundimin e aeroportit. Kompania ka kontraktuar Munich Airport International për shërbime teknike dhe ekspertizë, duke financuar produkte teknike me vlerë mbi 1.5 milionë euro. Pas ndërprerjes së këtij angazhimi, MABCO angazhoi daa International (Dublin Airport Authority) për shërbime teknike, certifikim dhe përgatitje operative. Ky angazhim vijon të financohet dhe operatori mbetet i gatshëm të kryejë funksionet e dakordësuara sapo të sigurohen kushtet ligjore, korporative dhe fizike.

Kompania ka vijuar të kontraktojë dhe paguajë pajisje të domosdoshme për certifikimin dhe operimin e aeroportit, përfshirë sisteme sigurie, pajisje X-Ray, EDS dhe të tjera pajisje teknike. Edhe projekti fillestar i terminalit, i zgjeruar në rreth 22 mijë metra katrorë, kishte përfshirë modifikime dhe zgjerime të lejes së ndërtimit, por procesi u bllokua nga konfliktet gjyqësore dhe administrative.

### Sigurimi i kontratës dhe penalitetet

Lidhur me sigurimin e kontratës, MABCO argumenton se mosmbajtja në fuqi e sigurimit nuk përbën shkak automatik për zgjidhjen e kontratës. Sipas kompanisë, edhe nëse do të konsiderohej shkelje materiale, kontrata parashikon një afat prej 60 ditësh për korrigjim. MIE e njoftoi këtë pretendim më 16 korrik 2026, duke lënë të kuptohet se afati për korrigjim nuk kishte përfunduar kur u njoftua zgjidhja e kontratës.

MABCO kundërshton edhe penalitetet kontraktore për vonesat, duke pretenduar se kontrata përjashton pagesën e penalitetit në rast se data e operimit është penguar ose shtyrë si rezultat i një “Veprimi Material të Pafavorshëm Qeveritar”. Kompania e konsideron zgjidhjen e njëanshme të kontratës nga MIE si një “Veprim Material të Pafavorshëm Qeveritar”, pasi i heq koncesionarit të drejtat ekskluzive dhe pritshmëritë ekonomike.

### Negociatat, arbitrazhi si mundësi e hapur

Në përfundim të shkresës së 10 gushtit, MABCO kërkon që mosmarrëveshja të trajtohet fillimisht nëpërmjet negociatave në mirëbesim, brenda 15 ditëve pune nga marrja dijeni, ose jo më vonë se 31 gusht 2026. Megjithatë, kompania rezervon të gjitha të drejtat dhe mjetet juridike, duke përfshirë mundësinë e arbitrazhit ndërkombëtar në rast dështimi të negociatave. Deri më tani, shkresa nuk përbën një njoftim formal për arbitrazh.

Scroll to Top