Banda droge ne Ekuador: Kokaine me imazhin e Haaland

Pakot e kokainës me imazhin e superyllit norvegjez/ Goditet banda e drogës në Ekuador, sekuestrohen 469 kilogramë lëndë narkotike

Fytyra e yllit norvegjez të futbollit, Erling Haaland, është shfaqur në një vend krejtësisht të papritur. Autoritetet ekuadoriane zbuluan qindra pako kokaine me imazhin e sulmuesit të Manchester City-t gjatë një operacioni pranë kufirit me Kolumbinë.

Policia sekuestroi 469 kilogramë kokainë, të ndara në 370 pako. Droga ishte fshehur në një ndarje të posaçme të ndërtuar në dyshemenë e dyfishtë të një kamioni. Pakot drejtkëndëshe, me ngjyrë të gjelbër, kishin të vendosur në sipërfaqe imazhin e Haaland, duke tërhequr vëmendjen e autoriteteve.

Gjatë kontrollit të automjetit, policia zbuloi ndarjen e fshehtë në pjesën e poshtme të kamionit dhe nxori një nga një pakot me drogë. Pamjet e publikuara nga autoritetet tregojnë momentin e sekuestrimit, ku duket qartë fytyra e futbollistit norvegjez në paketimet e kokainës.

Operacioni u zhvillua në rajonin Wagua Negro, pranë qytetit kufitar Tulcán dhe rreth 246 kilometra në veri të kryeqytetit Quito. Autoritetet kishin marrë një informacion anonim për një ngarkesë të dyshimtë në Autostradën Pan-Amerikane. Pas identifikimit të kamionit, policia kreu kontrollin dhe zbuloi drogën e fshehur.

Gjatë operacionit u arrestua edhe një grua. Autoritetet ekuadoriane nuk kanë dhënë ende një shpjegim zyrtar se përse trafikantët kishin përdorur imazhin e Haaland në paketimet e drogës. Megjithatë, grupet kriminale përdorin shpesh emra, fotografi dhe simbole të personazheve të njohur për të identifikuar ose “markuar” ngarkesa të ndryshme. Këto shenja mund të shërbejnë për të treguar origjinën e ngarkesës, rrjetin kriminal që e kontrollon atë ose destinacionin dhe klientin e saj.

Haaland nuk është futbollisti i vetëm që është shfaqur në paketimet e drogës së sekuestruar. Në një rast tjetër, autoritetet kishin gjetur imazhin e Lionel Messit në një ngarkesë narkotikësh, duke treguar se përdorimi i figurave të yjeve të futbollit mund të jetë një mënyrë e përdorur nga trafikantët për të koduar dërgesat.

Sipas Associated Press, vlera e 469 kilogramëve kokainë të sekuestruar në Ekuador llogaritet në rreth 731 mijë euro në tregun vendas. Nëse ngarkesa do të arrinte në Shtetet e Bashkuara, vlera e saj mund të kalonte 9.5 milionë euro, ndërsa në tregun evropian do të vlerësohej në më shumë se 17 milionë euro.

Scroll to Top