VIDEO/ Kombinim spektakolar mes sportit dhe astronomisë! Kampioni olimpik sinkronizoi kërcimin e tij me eklipsin diellor: Lëvizja e jetës sime
Një kombinim mbresëlënës mes sportit dhe astronomisë ka tërhequr vëmendjen në rrjetet sociale. Skateboarderi spanjoll Danny Leon, kampion olimpik, ka realizuar një kërcim spektakolar pikërisht në sfondin e një eklipsi diellor.
Atleti arriti të sinkronizojë lëvizjen e tij me skateboard me momentin kur Hëna kaloi përpara Diellit, duke krijuar një pamje të rrallë dhe shumë të veçantë. Ky koordinim i përkryer bëri që truku të dukej sikur Leon “fluturonte” përpara Diellit të eklipsuar.
Leon, i njohur për truket e tij kreative dhe performancat mbresëlënëse, publikoi videon dhe imazhet në rrjetet sociale, duke e përshkruar momentin si “lëvizja e jetës sime”.
Për të realizuar këtë lëvizje, nuk u kërkua vetëm aftësi dhe kontroll i shkëlqyer mbi skateboard, por edhe një përllogaritje tepër e saktë e momentit të kërcimit, në mënyrë që pozicioni i tij të përkonte me kalimin e Hënës përpara Diellit.
Rezultati ishte një pamje e pazakontë, ku një akrobaci sportive u shndërrua në një spektakël vizual, i kombinuar me një prej fenomeneve më të rralla astronomike.
Danny Leon ka publikuar edhe më parë truke kreative, duke përdorur vende, objekte dhe momente të veçanta për të krijuar performanca origjinale. Megjithatë, ky sinkronizim me eklipsin diellor është ndër realizimet e tij më të veçanta.
