Fitimi i institucioneve financiare të pagesave pësoi rënie vitin e kaluar
Fitimi i institucioneve financiare të pagesave dhe transfertave pësoi një rënie vitin e kaluar. Statistikat e publikuara nga Banka e Shqipërisë tregojnë se rezultati financiar i këtyre operatorëve u tkurr, pas dy viteve radhazi ku kishte shënuar rritje.
Fitimi neto arriti në 1.05 miliardë lekë (rreth 10.9 milionë euro), duke u ulur me 36.6% krahasuar me vitin paraardhës. Sipas Bankës së Shqipërisë, rezultati neto i institucioneve të pagesave dhe të parasë elektronike u ul si pasojë e rënies së njëkohshme të të ardhurave nga komisionet dhe rritjes së shpenzimeve të përgjithshme të veprimtarisë.
Ky rezultat përfshin fitimet e realizuara si nga institucionet financiare të parasë elektronike, ashtu edhe ato të pagesave dhe të transfertave të parave.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2025 në vend ishin të licencuar gjithsej 15 operatorë pagesash. Nga këta, 10 kishin licencë si institucione të parasë elektronike, ndërsa pesë të tjerë për shërbime pagesash dhe transferimi parash.
Edhe pse rezultati i sektorit në përgjithësi është në rënie, vlerësohet se kontributi kryesor në fitimin e tregut vjen kryesisht nga institucionet më të konsoliduara të pagesave dhe transfertave.
Në fund të vitit të kaluar, operatorët e këtij sektori raportonin aktive totale në vlerën e 16 miliardë lekëve, duke shënuar një rritje prej 5.3% (0.81 miliardë lekë) krahasuar me një vit më parë.
Banka e Shqipërisë raporton se aktiviteti i subjekteve të tregut ka ardhur në rritje, por këtë zhvillim kryesor e kanë sjellë zgjerimi i subjekteve Union Financiar Tiranë dhe IutePay.
Në total, volumi i pagesave me para elektronike për vitin 2025 arriti në 95.3 miliardë lekë, duke u rritur me 9.6% krahasuar me një vit më parë.
Në vitin 2020, Shqipëria miratoi ligjin e ri për Shërbimet e Pagesave, i cili u përshtat në frymën e Direktivës II të Pagesave të Bashkimit Europian. Qëllimi ishte krijimi i hapësirave për një konkurrencë më të madhe në tregun e shërbimeve të pagesave dhe për një zhvillim më të madh të institucioneve financiare që ofrojnë pagesa elektronike.
Kjo solli një rritje të ndjeshme të numrit të institucioneve të licencuara të parasë elektronike, me synimin për të ndërtuar edhe në Shqipëri modelin e operatorëve të pagesave fintech.
Megjithatë, ky model në Shqipëri është ende në një stad fillestar zhvillimi, dhe të ardhurat e operatorëve të tregut vijnë ende kryesisht nga komisionet e shërbimeve që ofrohen fizikisht në sportelet e agjentëve.
Deri tani, institucionet e pagesave, të paktën në shërbimet e mirëfillta fintech, po e gjejnë të vështirë të sigurojnë avantazhe konkurruese që të bëjnë diferencën ndaj produkteve dhe shërbimeve të pagesave të sektorit bankar.
Fokusi kryesor i institucioneve të reja të pagesave fintech ka qenë kryesisht krijimi i portofolave elektronike, nëpërmjet të cilave klientët mund të kryejnë një gamë të gjerë pagesash të qendërzuara në aplikacionet e tyre. Këto shërbime përfshijnë pagesën e faturave dhe utiliteteve, transfertat e parave, blerjet online ose në pikat e shitjes, etj.
Disa prej institucioneve të parasë elektronike po e gërshetojnë konceptin e fintech edhe me instrumentet më klasike të pagesave, si kartat, për të krijuar një urë me infrastrukturën e sektorit bankar dhe operatorët globalë të sistemeve të pagesave, si Visa apo Mastercard.
