Putin kërcënon me sekuestrim anijesh evropiane për “flotën në hije”

Putin kërcënon me sekuestrim të anijeve evropiane për shkak të masave kundër “flotës në hije”

Presidenti Vladimir Putin ka deklaruar se Rusia do të sekuestrojë anijet në pronësi të shteteve evropiane në rast se ato përpiqen të shesin ngarkesat e konfiskuara nga anijet e lidhura me Rusinë, të cilat dyshohet se i përkasin të ashtuquajturës “flota në hije” e Moskës.

Duke iu referuar planeve të Evropës për të ashpërsuar masat ndaj anijeve që dyshohet se po ndihmojnë Moskën t’i shmanget sanksioneve perëndimore, Putin tha gjatë stërvitjeve të Flotës ruse të Paqësorit më 12 gusht: “Kjo nuk është asgjë tjetër veçse pirateri dhe grabitje”.

“Nëse kjo fillon të zbatohet në praktikë, ne do të detyrohemi të përgjigjemi në të njëjtën mënyrë,” tha Putin, duke shtuar se Moska nuk do ta kufizojë përgjigjen e saj vetëm në ujërat ku po mbahen anijet ruse. Ai nuk dha detaje të tjera.

Qeveritë perëndimore kanë shtuar përpjekjet për të goditur “flotën në hije” – një rrjet anijesh me pronësi të dyshimtë, të cilat Rusia i ka përdorur për të vazhduar me eksportet e naftës pavarësisht sanksioneve të vendosura për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Deklarata e Putinit erdhi pasi Bashkimi Evropian miratoi muajin e kaluar një paketë të re sanksionesh ndaj Rusisë, e cila përfshin masa që u lejojnë shteteve anëtare të shesin naftën ose ngarkesa të tjera të sekuestruara nga anijet e sanksionuara ose të ndaluara.

Sipas raportimeve të mediave evropiane, dokumentet e një gjykate suedeze treguan se Stokholmi po planifikon t’ia transferojë Kievit një anije të sekuestruar ruse, që dyshohet se transportonte grurë nga pjesët e Ukrainës të pushtuara nga Rusia.

Që nga fillimi i pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës nga Rusia, në shkurt të vitit 2022, fitimet nga energjia janë një burim kyç të ardhurash për shtetin rus dhe për përpjekjet e tij të luftës. Kievi synon të kufizojë aftësinë e Rusisë për ta financuar luftën, duke bërë thirrje për sanksione të ashpra ndaj sektorit energjetik rus.

Mes të tjerash, një projektligj – i cili ende duhet të miratohet nga Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së – shënjestron “flotën në hije” të Rusisë, përfshirë anijet, pronarët, operatorët, siguruesit, portet dhe ndërmjetësit e tjerë të përfshirë në transportin e naftës ruse dhe mallrave të sanksionuara.

Në muajt e fundit, ushtria ukrainase po ashtu ka intensifikuar sulmet e saj me rreze të gjatë veprimi ndaj anijeve të “flotës në hije” të Rusisë dhe infrastrukturës energjetike të saj, një fushatë që presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka përshkruar si “sanksionet me rreze të gjatë veprimi” të Kievit ndaj Moskës.

Scroll to Top