Punimet në mbikalimin e Kasharit, kufizohet qarkullimi në autostradën Tiranë-Durrës
Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka njoftuar kufizime të përkohshme të qarkullimit në autostradën Tiranë-Durrës. Këto kufizime vijnë si pasojë e punimeve për ndërtimin e një mbikalimi të ri në zonën e Kasharit.
Punimet do të zhvillohen gjatë datave 14 dhe 15 gusht, në intervalin orar 23:00 deri në 05:00. Gjatë kësaj periudhe, parashikohet të kryhet montimi i strukturës metalike të mbikalimit.
Për arsye sigurie, dy korsitë e aksit kryesor të autostradës në drejtimin Tiranë-Durrës do të jenë të mbyllura përkohësisht. Automjetet që lëvizin drejt Durrësit gjatë këtyre orareve do të devijohen në dy korsitë e anës së majtë të autostradës. Këto korsie do të përdoren përkohësisht për qarkullim në të dyja drejtimet.
ARRSH sqaron se automjetet me destinacion Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës do të mund të vijojnë lëvizjen pa ndërprerje.
Autoriteti u ka bërë thirrje drejtuesve të mjeteve, bizneseve dhe banorëve të zonës të tregojnë kujdes dhe mirëkuptim gjatë zbatimit të këtyre masave të përkohshme për menaxhimin e trafikut.
