Qiratë ditore: Vlora dhe Durrësi “në garë” me Tiranën për fitime
Tregu i qiradhënies afatshkurtër në Shqipëri po zgjerohet duke kapërcyer destinacionet tradicionale. Tirana mbetet tregu më stabil gjatë gjithë vitit, e mbështetur nga udhëtimet e punës, eventet, vizitat familjare dhe qëndrimet e shkurtra të turistëve.
Në bregdet, të ardhurat janë më të përqendruara në sezon, por edhe potenciali për tarifa më të larta është më i madh. Durrësi përfiton nga afërsia me Tiranën dhe sezoni relativisht i gjatë, ndërsa Vlora, Saranda dhe Ksamili mbështeten në flukset e forta verore, ku një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave vjetore realizohet brenda pak muajsh.
Qytetet historike si Berati dhe Gjirokastra kanë një profil tjetër, ku kërkesa lidhet më shumë me ture kulturore dhe udhëtarë të huaj. Korça tërheq vizitorë në fundjavë dhe festat, ndërsa Shkodra po përfiton nga rritja e turizmit të natyrës.
Kjo diversitet ka krijuar modele të ndryshme biznesi. Disa pronarë japin me qira banesa që kanë të lira, të tjerë kanë blerë prona posaçërisht për këtë aktivitet, ndërsa është shtuar numri i operatorëve që marrin apartamente me qira afatgjatë dhe i riofrojnë ato si akomodim ditor.
Fitimi nuk varet vetëm nga qyteti, por edhe nga vendndodhja brenda tij, cilësia e pronës, vlerësimet në platforma dhe aftësia për të ruajtur një zënie të lartë. Sipas të dhënave të AirDNA, rreth 37% e njësiteve të listuara për qira për 6-mujorin e parë të vitit ishin në segmentin Vlorë-Sarandë, me 10.2 mijë njësi. Tirana renditet e dyta me 20% (5.5 mijë apartamente), ndjekur nga Durrësi dhe Golemi me rreth 20% (4.5 mijë në Durrës dhe 1.5 mijë në Golem). Shkodra zë vendin e katërt me rreth 5% (1.4 mijë apartamente).
Kërkesa më e lartë për net-qëndrime
Tirana mbetet tregu me kërkesën më të qëndrueshme për qira afatshkurtra gjatë gjithë vitit, duke regjistruar mesatarisht rreth 63 mijë net-qëndrime në muaj. Megjithatë, në qershor, Vlora doli në krye me mbi 110 mijë net-qëndrime, duke kaluar ndjeshëm Tiranën. Durrësi gjithashtu shënoi rritje të fortë në qershor, duke arritur mbi 43 mijë net-qëndrime.
Tregjet tregojnë dy modele të ndryshme: Tirana ka kërkesë të shpërndarë gjatë vitit, ndërsa qytetet bregdetare e përqendrojnë aktivitetin në muajt e verës.
Tirana kryeson për të ardhurat, Vlora shumë pranë
Tirana gjeneroi të ardhurat më të larta nga qiradhënia afatshkurtër në 6-mujorin e parë të vitit, me rreth 16.3 milionë euro. Vlora renditet shumë pranë, me afro 15.5 milionë euro, ndonëse tregu i saj është më sezonal. Durrësi zë vendin e tretë me rreth 7.7 milionë euro.
Tirana përfiton nga aktiviteti i qëndrueshëm gjatë vitit, ndërsa Vlora arrin të ardhura të larta falë rritjes së kërkesës dhe tarifave në sezonin veror.
Çmimet e qirasë ditore: Tirana më e lira, bregdeti më i shtrenjti
Në 6-mujorin e parë të vitit, çmimi mesatar për një natë në Tiranë ishte rreth 42.4 euro, ndër nivelet më të ulëta. Mesatarja më e lartë u regjistrua në Golem (51.3 euro), Durrës (49.4 euro), Vlorë (48 euro) dhe Shkodër (47.2 euro).
Çmimet më të larta u regjistruan në Golem, Durrës dhe Vlorë, ku sezoni veror rrit fort tarifat. Në qershor, një natë kushtoi mesatarisht 76 euro në Durrës, 75 euro në Vlorë dhe 72 euro në Golem. Në Tiranë, çmimi arriti vetëm rreth 47 euro.
Diferenca lidhet me modelin e kërkesës: në kryeqytet, aktiviteti është më i shpërndarë dhe konkurrenca më e lartë, ndërsa në qytetet bregdetare, kërkesa përqendrohet në pak muaj, duke lejuar çmime më të larta.
Qytetet ku apartamentet nuk rrinë bosh
Tirana ka normën më të lartë të zënies së apartamenteve me qira ditore gjatë gjithë 6-mujorit, duke treguar se kërkesa nuk varet vetëm nga sezoni veror. Në prill, zënia arriti rreth 69%, ndërsa në qershor mbeti në 63.6%.
Edhe Vlora shfaq nivele të larta zënieje, me mbi 60% në disa muaj. Durrësi dhe Golemi përfitojnë më fort nga hyrja në sezon, me normën e zënies që në qershor u rrit përkatësisht në 60.3% dhe 57.9%. Shkodra gjithashtu shënoi përmirësim.
Në të kundërt, Korça dhe Shëngjini mbeten tregjet ku apartamentet kanë më shumë ditë të lira, megjithëse zënia rritet me afrimin e verës.
Sa fitohet në muaj nga qiradhënia ditore
E ardhura neto ditore llogaritet duke kombinuar tarifën ditore me normën e zënies. Në 6-mujorin e parë, e ardhurja neto mesatare ditore ishte më e lartë në Vlorë (27.7 euro), e ndjekur nga Durrësi (26.6 euro) dhe Tirana (25.5 euro).
Një apartament mund të gjenerojë mesatarisht rreth 830 euro në muaj në Vlorë, 800 euro në Durrës dhe 765 euro në Tiranë. Në qershor, të ardhurat u ngritën ndjeshëm, me Vlorën që arriti rreth 1,400 euro në muaj dhe Durrësin rreth 1,380 euro. Në Tiranë, e ardhurja është më e ulët por më e qëndrueshme, duke mos i kaluar 900 euro në muaj.
Këto janë të ardhura bruto të përshtatura me zënien, por përpara zbritjes së kostove.