Skandal në Qipron Veriore lidhur me IVF: Dyshohet se rreth 30 fëmijë u ngjizën me donatorë të gabuar
Të paktën 30 fëmijë, shumica prej tyre me origjinë britanike, dyshohet se janë ngjizur nëpërmjet trajtimeve të fertilizimit in vitro (IVF) në Qipron Veriore, duke përdorur donatorë të gabuar të spermës ose vezëve. Prindërit e këtyre fëmijëve pretendojnë se nuk kanë marrë donatorët që kishin zgjedhur me kujdes para trajtimit.
Ata sqarojnë se zgjedhjet e tyre bazoheshin në të dhëna thelbësore, siç janë historia mjekësore, pamja, personaliteti, arsimi dhe interesat e donatorëve. Ky rast bëhet pjesë e një hetimi të BBC-së, i cili në fillim të vitit aktual nxori në dritë shtatë rastet e para. Pas publikimit të hetimit, dhjetëra familje të tjera i janë drejtuar BBC-së, duke ngritur dyshime të ngjashme.
Gjysma e 30 fëmijëve të identifikuar kanë lindur pas procedurave të kryera në Qendrën IVF Dogus. Në kujdesin e disa prej pacientëve në këtë klinikë kanë qenë të përfshirë Dr. Firdevs Uguz Tip, Dr. Sevket Alpturk dhe koordinatorja e pacientëve Julie Hodson. Prindërit dyshojnë se mund të jenë mashtruar nga anëtarë të stafit.
Dr. Firdevs ka mohuar akuzat për çdo lloj shkelje, ndërsa Alpturk dhe Hodson nuk i janë përgjigjur pyetjeve të BBC-së. Hetimi ka zbuluar gjithashtu se Cryos International, banka më e madhe e spermës në botë, e ka vendosur klinikën Dogus në listën e saj të zezë që prej vitit 2016.
Njëmbëdhjetë nga 30 fëmijët kanë kryer teste komerciale të ADN-së. Rezultatet tregojnë se ata kanë trashëguar prejardhje gjenetike nga Turqia ose vende të tjera të rajonit, duke ngritur dyshime se nuk janë përdorur donatorët europianë që prindërit kishin kërkuar. Shumica e këtyre fëmijëve janë ngjizur përmes IVF-së në klinikën Dogus, në periudhën 2012-2024.
Familjet aktualisht përballen me pasiguri të mëdha lidhur me identitetin e donatorëve biologjikë të fëmijëve të tyre dhe historinë e tyre mjekësore. “Këto raporte janë thellësisht shqetësuese. Është një e drejtë themelore njerëzore për një person të ngjizur nga donatori të dijë të vërtetën rreth origjinës së tij”, ka thënë Laura Bridgens, themeluese e organizatës Donor Conceived UK.
Qiproja Veriore është një territor ku ligjet e Bashkimit Europian nuk zbatohen dhe që njihet ndërkombëtarisht vetëm nga Turqia. Klinikat e fertilitetit në këtë zonë ofrojnë trajtime me çmime relativisht të ulëta, premtojnë norma të larta suksesi dhe ofrojnë një përzgjedhje të gjerë të donatorëve të spermës dhe vezëve. Territori është kthyer në një destinacion të rëndësishëm për britanikët që kërkojnë trajtime fertiliteti jashtë vendit.
Pas publikimit të hetimit të parë në mars, Ministria e Shëndetësisë e Qipros Veriore deklaroi se kishte nisur një hetim zyrtar. Megjithatë, sipas BBC-së, autoritetet nuk janë përgjigjur kërkesave të përsëritura për informacion mbi ecurinë e tij. Rastet e reja kanë shtuar shqetësimet për mënyrën se si funksionojnë klinikat e fertilitetit në territor dhe për kontrollin e donatorëve të spermës dhe vezëve.
