Ministri Malaj: Rritja ekonomike 3.71% në tremujorin e parë të vitit 2026
Shqipëria po ngushton distancën me ekonomitë europiane, teksa rritja ekonomike në tremujorin e parë të vitit 2026 arriti në 3.71%. Kjo shifër e rendit vendin ndër ekonomitë me ritmin më të lartë të rritjes në rajon, bëri të ditur ministri i Financave, Petrit Malaj.
Sipas Malajt, Shqipëria, së bashku me Kosovën, kryeson ritmin e rritjes ekonomike në rajon. Rritja e ekonomisë në Shqipëri është ndjeshëm mbi ritmin mesatar të Bashkimit Europian, i cili në të njëjtën periudhë ishte 0.7%.
Ministri theksoi se ky rezultat lidhet me vijimin e politikave të qëndrueshme ekonomike, të cilat, sipas tij, po mbështesin investimet, aktivitetin e biznesit, punësimin dhe konsumin.
Malaj u shpreh optimist edhe për ecurinë e ekonomisë në tremujorët e ardhshëm, duke nënvizuar pritshmëritë për përshpejtim të rritjes, të mbështetur nga performanca e turizmit, investimet dhe sektorët prioritarë.
“Shqipëria dhe Kosova po udhëheqin ritmin e rritjes në rajon, ndërsa Shqipëria po ngushton me shpejtësi distancën me Europën,” deklaroi ministri i Financave.
Referuar statistikave, Shqipëria ka lënë pas në këtë renditje:
- Serbinë, me rritje 3.20%
- Maqedoninë e Veriut, me 3.1%
- Malin e Zi, me 3.69%
- Bosnjë-Hercegovinën, me 1.9%
Ndërkohë, rritja mesatare ekonomike e vendeve të Ballkanit Perëndimor në tremujorin e parë të vitit 2026 është 3.30%, ndërsa mesatarja e Bashkimit Europian është vetëm 0.7%.
Performanca e ekonomisë shqiptare në tremujorin e parë vjen në një kohë kur aktiviteti ekonomik po mbështetet nga investimet, konsumi, punësimi dhe performanca e sektorëve prioritarë, veçanërisht turizmi.