Sulm ajror izraelit në Gaza, 6 palestinezë të vrarë, përfshirë një fëmijë
Të paktën gjashtë palestinezë, përfshirë një fëmijë, kanë humbur jetën në një sulm ajror izraelit ndaj një zone pranë portit të qytetit të Gazës. Më shumë se një duzinë personash raportohet të kenë mbetur të plagosur.
Sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, sulmi goditi një kafene ku ishin strehuar persona të zhvendosur. Spitali Shifa në qytetin e Gazës njoftoi se kishte marrë pesë trupa dhe 13 të plagosur, ndërsa njëri prej të plagosurve ndërroi jetë pak më vonë.
Dëshmitarët përshkruan se shpërthimi goditi kafenë “Sweet and Bitter”, e cila ndodhej në portin e peshkimit në pjesën perëndimore të qytetit. Sipas tyre, shpërthimi hodhi disa nga viktimat në det.
Ushtria izraelite konfirmoi kryerjen e një “sulmi ajror preciz”, duke pretenduar se objektivi ishin komandantë të Hamasit që po planifikonin sulme kundër forcave izraelite në Rripin e Gazës. Në një deklaratë të mëvonshme, ajo shtoi se kishte goditur një takim të drejtuesve të një njësie elitare të Hamasit, ku ndodhej edhe një individ i përfshirë në sulmet e 7 tetorit 2023.
Izraeli deklaroi se kishte ndërmarrë masa për të kufizuar rrezikun ndaj civilëve. Ndërkohë, Hamasi dënoi sulmin, duke e cilësuar si shenjë “shpërfilljeje” të thirrjeve për armëpushim nga ndërmjetësit dhe vendet garantuese.
Ky sulm ndodhi një ditë pas takimit në Jerusalem mes të dërguarit amerikan Jared Kushner dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu. Netanyahu ka pohuar se Izraeli nuk do të tërheqë forcat nga Gaza për sa kohë Hamasi nuk është çarmatosur plotësisht.
Nga ana tjetër, Hamasi ka deklaruar se mbetet i përkushtuar ndaj zbatimit të planit amerikan të paqes dhe i ka kërkuar administratës së Presidentit Donald Trump të ushtrojë presion mbi qeverinë izraelite për këtë çështje.
Sipas mediave izraelite, operacionet ushtarake në Gaza janë zvogëluar ditët e fundit, nën presionin e SHBA-së. Ushtria pohon se vazhdon të veprojë kundër militantëve dhe në rastet kur forcat e saj konsiderohen të kërcënuara.
