ERE miraton rregulla të reja për operatorët e depozitimit të energjisë

ERE miraton rregullat për regjistrimin e operatorëve të depozitimit të energjisë

Enti Rregullator i Energjisë (ERE) ka miratuar rregullat e reja për njoftimin dhe regjistrimin e operatorëve të impianteve të depozitimit të energjisë. Këto rregulla përcaktojnë procedurat dhe dokumentacionin që duhet të dorëzojnë subjektet që ushtrojnë këtë aktivitet.

Vendimi, miratuar nga Bordi i ERE më 18 gusht 2026, është në përputhje me ligjin e ri “Për sektorin e energjisë elektrike”. Sipas një njoftimi të ERE, rregullat e miratuara detajojnë procedurën e njoftimit dhe regjistrimit, informacionin dhe dokumentacionin e kërkuar, si dhe mënyrën e administrimit të të dhënave në Regjistrin e Impianteve të Depozitimit të Energjisë.

ERE ka miratuar gjithashtu formularët specifikë që do të përdoren nga subjektet e detyruara të njoftohen dhe të regjistrohen.

Rregullatori parashikon një procedurë të thjeshtuar për kompanitë që kanë dorëzuar më parë informacion rreth impianteve apo njësive të depozitimit të energjisë gjatë proceseve të licencimit ose procedurave të tjera administrative.

Sipas njoftimit të ERE, “subjektet që, para hyrjes në fuqi të këtyre rregullave, kanë njoftuar ose kanë paraqitur pranë ERE-së të dhëna për një impiant apo njësi të depozitimit të energjisë […] nuk do të duhet të riparaqesin të njëjtin informacion,” nëse dokumentacioni ekzistues është i mjaftueshëm për regjistrim.

Ky parim vlen gjithashtu për njësitë e depozitimit që janë deklaruar më parë si pjesë e një projekti energjetik, duke përfshirë rastet kur ato janë paraqitur si vepra ndihmëse, njësi të integruara depozitimi ose pjesë funksionale të një impianti prodhimi energjie elektrike.

Në këto situacione, ERE do të përdorë dokumentacionin ekzistues në dosjet e subjekteve, “duke shmangur riparaqitjen e dokumentacionit të depozituar më parë”.

Rregullat e reja krijojnë kështu kuadrin procedural për regjistrimin e operatorëve të impianteve të depozitimit të energjisë dhe administrimin e informacionit përkatës nga ana e rregullatorit.

Scroll to Top