“`html
Norvegjia forcon brigadën në Arktik, rrit gatishmërinë përballë kërcënimit rus
Norvegjia ka forcuar ndjeshëm Brigadën Finnmark, njësinë ushtarake të vendosur në veri të vendit, pranë kufirit me Rusinë. Ky veprim synon rritjen e kapaciteteve mbrojtëse të vendit në një periudhë tensionesh të larta në Evropë.
Brigada Finnmark, e cila u krijua vitin e kaluar, është brigada e dytë e ushtrisë norvegjeze dhe e para që formohet në vend që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë. Të dyja brigadat norvegjeze kanë selitë në zonën e Rrethit Arktik.
Pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, Norvegjia ka rritur ndjeshëm investimet në mbrojtje. Kjo rritje e shpenzimeve ushtarake është nxitur gjithashtu edhe nga presioni i Shteteve të Bashkuara ndaj vendeve evropiane për të shtuar kontributin e tyre në mbrojtjen kolektive të NATO-s.
Ky vit, Norvegjia pritet të shpenzojë rreth 3.17% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen, krahasuar me rreth 1.5% në vitin 2014.
Një nga detyrat kryesore të Brigadës Finnmark ka qenë monitorimi dhe patrullimi i kufirit rreth 198 kilometra të gjatë me Rusinë. Tashmë, ajo është pajisur me një batalion artilerie, një bateri të mbrojtjes ajrore dhe një kompani komunikimi.
Përmes këtyre përforcimeve, njësia ka fituar kapacitete më të mëdha për goditjen e objektivave në distanca deri në 40 kilometra, si dhe për koordinimin e operacioneve me avionë dhe anije të forcave norvegjeze dhe të NATO-s.
“Ne do t’i përgjigjemi çdo kërcënimi dhe sulmi kundër Norvegjisë dhe NATO-s. Ne do të mbrojmë çdo centimetër”, deklaroi ministri norvegjez i Mbrojtjes, Tore Sandvik, për Reuters.
Ndërkohë, gjenerali i brigadës John Olaf Fuglem e cilësoi përforcimin si një rritje të ndjeshme të fuqisë së zjarrit të njësisë.
Forcimi i Brigadës Finnmark vjen në një kohë kur vendet nordike po rrisin kapacitetet e tyre ushtarake dhe po i kushtojnë vëmendje të shtuar mbrojtjes së territoreve veriore, për shkak të rëndësisë strategjike të rajonit Arktik dhe afërsisë me Rusinë.
“`
