Kompensimi 10% TVSH: Sqaron Tatimet për Fermerët

Kompensimi 10% i TVSH, Tatimet sqarojnë fermerët për paqartësitë në aplikim

Nga 1 korriku deri më 31 dhjetor, fermerët kanë afat të aplikojnë për kompensimin 10% të TVSH-së për furnizimet e kryera gjatë periudhës janar–qershor të vitit 2026. Administrata Tatimore ka sqaruar se si duhet të veprojnë fermerët në rast se hasin paqartësi apo problematika gjatë procesit të aplikimit.

Një nga rastet e ngritura lidhet me mosshfaqjen e faturave të muajit qershor 2026 në sistemin e e-Filing. Fermerët që kanë hasur këtë problem dhe kanë fshirë çështjen e krijuar më parë rrezikojnë të mos shohin më faturat në aplikimin e ri. Administrata Tatimore sqaron se për këto raste duhet t’i drejtohen Drejtorisë Rajonale Tatimore për verifikimet dhe ndërhyrjet e nevojshme. Ndërkohë, fermerët kanë mundësi të aplikojnë sërish për faturat e pambuluara, nëse çështja e parë ka përfunduar dhe aplikimi i ri bëhet brenda afatit ligjor.

Për fermerët që nuk kanë përfshirë të gjitha faturat në aplikimin e parë, Tatimet sqarojnë se kërkesa e dorëzuar nuk mund të ndryshohet apo plotësohet më pas. Nëse çështja e parë ka statusin “Përfunduar”, ata mund të hapin një kërkesë të re dhe të përzgjedhin vetëm faturat për të cilat nuk kanë marrë kompensim. Ndërsa fermerët që përballen me probleme teknike në sistem duhet t’i drejtohen Drejtorisë Rajonale Tatimore ku janë të regjistruar.

Për të përfituar kompensimin, kërkesa duhet të shoqërohet me dokumentacionin përkatës dhe numrin e llogarisë bankare. Afati për aplikimet për furnizimet e periudhës janar–qershor 2026 është deri më 31 dhjetor 2026, ndaj fermerët duhet të kujdesen që të mos e humbasin këtë afat.

Si do të bëhen aplikimet për kompensimin e fermerëve përmes autofaturës?

Cilat janë kushtet për të përfituar nga skema e kompensimit 10% të vlerës mbi mallrat dhe shërbimet e shitura?

Prodhuesit bujqësorë përfitojnë të drejtën e kompensimit kur:

  • Qarkullimi vjetor i tyre nuk tejkalon kufirin minimal të regjistrimit për TVSH-në;
  • Furnizojnë mallra apo shërbime me prejardhje nga puna e tyre;
  • Furnizimet kryhen ndaj personave të tatueshëm që nuk përfitojnë nga skema e kompensimit;
  • Janë pajisur me NIPT nga Administrata Tatimore, pa iu nënshtruar detyrimit për deklarim sipas nenit 106 të ligjit.

Çfarë është dhe si duhet ta kuptojmë vlerën e kompensimit?

Norma e kompensimit është 10% dhe aplikohet mbi çmimin pa TVSH të mallrave dhe shërbimeve të përcaktuara sipas shkronjës “dh” të nenit 145 të ligjit për TVSH-në. Kompensimi mbulon TVSH-në e paguar prej prodhuesve bujqësorë, e përfshirë në çmimin e blerjes së mallrave dhe shërbimeve që u nevojiten për aktivitetin e tyre prodhues bujqësor.

Shuma e kompensimit llogaritet duke shumëzuar normën 10% me vlerën totale të produkteve dhe shërbimeve bujqësore të furnizuara nga prodhuesi bujqësor gjatë një periudhe gjashtëmujore.

Cila është mënyra e zbatimit të skemës së kompensimit?

Blerësi i produkteve bujqësore, personi i tatueshëm i regjistruar për TVSH-në, i cili ushtron aktivitet si grumbullues ose/dhe përpunues i produkteve bujqësore apo agroturizëm i certifikuar, sipas legjislacionit në fuqi për turizmin, lëshon një faturë tatimore për shitësin, prodhues bujqësor, për çdo furnizim mallrash dhe shërbimesh të marrë prej tij. Vlera e faturës përfaqëson vlerën e furnizimit të paguar nga blerësi për llogari të shitësit, mbi të cilën aplikohet norma e kompensimit, sipas ligjit për TVSH.

Kompensimi i akorduar i paguhet prodhuesit bujqësor nga Administrata Tatimore. Për të përfituar këtë kompensim, prodhuesi bujqësor duhet të dorëzojë në Administratën Tatimore, nëpërmjet shërbimit postar ose në rrugë elektronike, një kërkesë për kompensim, të shoqëruar me kopje të faturave të lëshuara nga blerësi i mallrave dhe shërbimeve bujqësore, si dhe numrin e llogarisë së tij bankare.

Kërkesa për kompensim paraqitet:

  • Deri më 31 dhjetor, për furnizimet e kryera gjatë periudhës janar–qershor të vitit përkatës;
  • Deri më 30 qershor të vitit pasardhës, për furnizimet e kryera gjatë periudhës korrik–dhjetor të vitit paraardhës.

Administrata Tatimore kryen kompensimin brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës.

Jam fermer i regjistruar dhe, për të përfituar kompensimin në masën 10%, kam aplikuar online sipas udhëzimit të publikuar. Gjatë aplikimit nuk m’u shfaqën faturat e muajit qershor 2026. Më pas e fshiva çështjen dhe e hapa përsëri, por tani nuk më shfaqet më asnjë faturë. Si mund të zgjidhet kjo problematikë, në mënyrë që të mos humbas të drejtën për të përfituar kompensimin që më takon?

Problemi i mosshfaqjes së faturave ka ardhur si rezultat i fshirjes së çështjes së krijuar më parë në sistem. Për zgjidhjen e kësaj problematike teknike, ju lutemi t’i drejtoheni Drejtorisë Rajonale Tatimore ku jeni i regjistruar, e cila do të kryejë verifikimet dhe ndërhyrjet e nevojshme, në mënyrë që aplikimi juaj për rimbursim të vijojë normalisht.

A mund të përfitoj kompensim nëse produktet ua shes individëve që nuk janë tatimpagues?

Jo. Ju nuk mund t’ua shisni produktet tuaja individëve që nuk janë të regjistruar si tatimpagues, pasi kjo është jashtë skemës së kompensimit të prodhuesve bujqësorë. Theksojmë se prodhuesit bujqësorë nuk lëshojnë vetë fatura tatimore. Kur një prodhues bujqësor kërkon të lëshojë vetë fatura për individë të paregjistruar apo konsumatorë finalë, ai ka detyrimin të regjistrohet pranë QKB-së si tatimpagues për ushtrimin e aktivitetit privat, duke zbatuar rregullat ligjore si çdo tatimpagues tjetër në Republikën e Shqipërisë.

Kam aplikuar për përfitimin e kompensimit 10% për fermerët, por nuk kam përfshirë të gjitha faturat. A mund të korrigjoj kërkesën ekzistuese ose të paraqes një kërkesë tjetër online për faturat e mbetura? Nëse kjo nuk është e mundur, si mund të përfitoj kompensim edhe për faturat që nuk janë përfshirë në aplikimin e parë?

Një çështje e dorëzuar dhe e regjistruar me numër unik identifikimi në e-Filing nuk mund të ndryshohet apo plotësohet më pas. Megjithatë, brenda afatit të aplikimit (31.12.2026) dhe pasi çështja e parë të jetë me status “Përfunduar”, fermeri mund të aplikojë përsëri duke hapur një çështje të re online dhe të përzgjedhë vetëm faturat për të cilat nuk ka përfituar kompensim.

Scroll to Top