SHBA ofron deri në 10 milionë dollarë për informacion mbi pesë zyrtarë të lartë iranianë
Departamenti Amerikan i Shtetit ka ripërtërirë thirrjen për informacion mbi pesë figura të larta të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, duke ofruar shpërblime deri në 10 milionë dollarë për të dhëna që mund të ndihmojnë autoritetet amerikane.
Programi amerikan “Rewards for Justice” ka publikuar një njoftim ku kërkon informacion mbi pesë zyrtarë iranianë, të cilët, sipas qeverisë amerikane, planifikojnë, organizojnë dhe kryejnë akte terroriste në vende të ndryshme të botës.
Në listën e Departamentit të Shtetit përfshihen:
- Ahmed Vahidi, komandant i Gardës Revolucionare;
- Ali Abdullahi, drejtues i Shtabit Qendror Khatemolanbia;
- Saeed Aghajani, komandant i njësive të mjeteve ajrore pa pilot të Forcës Hapësinore të Gardës Revolucionare;
- Hamidreza Lasgarian, drejtues i Drejtorisë së Hapësirës Kibernetike dhe Luftës Elektronike;
- Majid Khademi, komandant i Shërbimit të Inteligjencës.
Sipas autoriteteve amerikane, informacioni i dhënë duhet të jetë i dobishëm për identifikimin, lokalizimin ose dokumentimin e aktiviteteve të këtyre individëve.
Departamenti Amerikan i Shtetit deklaron se personat që ofrojnë informacione të vlefshme mund të jenë “të kualifikuar për zhvendosje dhe kompensim financiar”.
Thirrja për informacion vjen në një periudhë tensionesh të larta mes SHBA-së dhe Iranit, ndërsa Washingtoni vijon të marrë masa ndaj individëve dhe strukturave të Gardës Revolucionare, të cilat i akuzon për përfshirje në aktivitete terroriste dhe operacione jashtë territorit iranian.
