Shqipëria paguan 50% të grupeve ushqimore më shtrenjtë se Europa, duke vendosur rekord edhe në rajon.
Shqipëria ka një peshë të lartë të sektorit të bujqësisë në ekonomi, rreth 15% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), krahasuar me mesatarisht rreth 2% në Bashkimin Europian dhe më pak se 8% në vendet e tjera të rajonit. Megjithatë, ky peshë e lartë e bujqësisë nuk sjell përfitime në formë të ushqimeve më të lira për konsumatorët shqiptarë. Përkundrazi, ata paguajnë disa produkte bazë më shtrenjtë se mesatarja europiane dhe dukshëm më shtrenjtë se fqinjët e tyre.
Avantazhi që teoricisht do të sillte një bazë e gjerë prodhuese bujqësore nuk reflektohet në çmimet që paguajnë familjet shqiptare.
Të dhënat e fundit tregojnë se, me mesataren e Bashkimit Europian si 100, Shqipëria ka një indeks prej 103.8 për ushqimet dhe pijet joalkoolike (për vitin 2025). Kjo do të thotë se çmimet janë 3.8% mbi mesataren e BE-së dhe më të lartat në rajon. Serbia renditet e dyta më e shtrenjtë me indeksin 97.1, e ndjekur nga Mali i Zi (86.5), Bosnja-Hercegovina (85.8) dhe Maqedonia e Veriut (74.8).
Në krahasim direkt, ushqimet dhe pijet joalkoolike në Shqipëri janë rreth 7% më të shtrenjta se në Serbi, 20% më të shtrenjta se në Malin e Zi, 21% më të shtrenjta se në Bosnjë-Hercegovinë dhe pothuajse 39% më të shtrenjta se në Maqedoninë e Veriut.
Kjo diferencë mbetet pothuajse e njëjtë edhe kur nga krahasimi hiqen pijet dhe analizohen vetëm ushqimet. Shqipëria ka një indeks prej 102.9 (2.9% mbi mesataren europiane), kundrejt 96.6 në Serbi, 84.6 në Bosnjë-Hercegovinë dhe Mal të Zi, dhe 74.3 në Maqedoninë e Veriut.
50% e grupeve ushqimore, duke përfshirë ato më të domosdoshmet, janë më të shtrenjta se në BE.
Nga 12 grupe ushqimore të detajuara nga Eurostat, për 6 prej tyre (gjysma) çmimet janë më të larta se mesatarja europiane. Kjo përfshin produkte bazë si qumështi dhe nënproduktet, vajrat dhe yndyrnat. Edhe mishi dhe peshku janë afër niveleve të BE-së.
Diferenca më e theksuar vihet re te:
- Qumështi, produktet e bulmetit dhe vezët: Shqipëria ka një indeks prej 135.6 (35.6% mbi mesataren e BE-së). Serbia ka indeksin 107.1, Mali i Zi 95, Bosnja-Hercegovina 92 dhe Maqedonia e Veriut 89.6. Këto produkte janë rreth 27% më të shtrenjta në Shqipëri se në Serbi, 43% më të shtrenjta se në Mal të Zi dhe mbi 50% më të shtrenjta se në Maqedoninë e Veriut.
- Ushqimet e gatshme dhe produktet e tjera ushqimore: Indeksi për Shqipërinë arrin në 128.2 (28.2% mbi mesataren e BE-së). Serbia është në 111.2, Mali i Zi 108, Bosnja 95.5 dhe Maqedonia e Veriut 80.9.
- Sheqeri, ëmbëlsirat dhe produktet e pastiçerisë: Çmimet në Shqipëri janë 23.1% mbi mesataren e BE-së (indeksi 123.1). Serbia është pak më e shtrenjtë (125.3), ndërsa Mali i Zi ka indeksin 120.5.
- Pijet joalkoolike: Shqipëria është vendi më i shtrenjtë në rajon me indeksin 114.3 (14.3% mbi mesataren europiane). Krahasuar me Maqedoninë e Veriut, ato kushtojnë rreth 43% më shumë.
- Vajrat dhe yndyrnat: Indeksi është 112.5. Serbia (128.4) dhe Mali i Zi (119.4) janë më të shtrenjta. Bosnja-Hercegovina (99.2) dhe Maqedonia e Veriut (95) janë pranë mesatares.
Në kategorinë e **mishit dhe produkteve të kafshëve të therura**, Shqipëria ka një indeks prej 98, pak nën mesataren e BE-së, por mbetet vendi më i shtrenjtë në rajon krahasuar me Serbinë (86.1), Bosnjën (83), Maqedoninë e Veriut (77.6) dhe Malin e Zi (71).
Edhe pse Shqipëria ka shumë burime ujore, ajo renditet e dyta më e shtrenjtë në rajon për **peshk dhe produkte të detit**, pas Serbisë (106.7). Indeksi i Shqipërisë është 96.5, ndërsa Mali i Zi ka 90.2, Bosnja 88.3 dhe Maqedonia e Veriut 80.5.
Paradoksalisht, edhe produktet që prodhohen gjerësisht në vend, si **frutat dhe arrat**, kanë një indeks prej 92.1 në Shqipëri (nën mesataren europiane), por janë shumë mbi shumicën e vendeve të rajonit. Krahasuar me Maqedoninë e Veriut (52.4), çmimet në Shqipëri janë rreth 76% më të larta.
Për **perimet, zhardhokët, bananet e gatimit dhe bishtajoret**, indeksi shqiptar është 91.2, praktikisht i njëjtë me Serbinë (91), por rreth 20-27% më i shtrenjtë se Bosnja, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.
Edhe te **drithërat dhe produktet e drithërave**, indeksi në Shqipëri (84) është më i lartë se në Bosnjë, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa vetëm Serbia (87.3) është më e shtrenjtë.
Produkti më i shtrenjtë në Shqipëri janë **pijet alkoolike**, me një indeks prej 159 (59% mbi mesataren e BE-së), duke lënë pas të gjitha vendet e rajonit.
Në kategorinë më të gjerë “pije alkoolike, duhan dhe narkotikë”, Shqipëria ka indeksin 81.7, duke qenë niveli më i lartë në rajon, ndonëse nën mesataren e BE-së.
Të dhënat nxjerrin në pah një kontrast të fortë: pavarësisht peshës së lartë të bujqësisë në PBB, konsumatori shqiptar përballet me çmime ushqimore që shpesh janë jo vetëm më të lartat në rajon, por edhe mbi mesataren europiane.
