Tragjedi në Pakistan: Zjarri përfshin maternitetin në Islamabad, 14 foshnje të vdekura
Një zjarr tragjik ka përfshirë repartin e maternitetit dhe të porsalindurve në Spitalin e Institutit të Shkencave Mjekësore të Pakistanit (PIMS) në Islamabad, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 14 foshnjave të porsalindura.
Zjarri ka shpërthyer në katin e tretë të njësit të shëndetit të nënës dhe fëmijës (MCH), një nga repartet kryesore të spitalit. Sipas zëdhënëses së PIMS, Dr. Aneeza Jalil, 14 të porsalindur kanë humbur jetën, ndërsa një tjetër foshnje është shpëtuar.
Ekipet e emergjencës, të përbëra nga zjarrfikës, ambulanca dhe personel i specializuar, kanë ndërhyrë menjëherë. Autoritetet raportojnë se të paktën 19 persona janë shpëtuar nga ndërtesa, mes tyre 10 gra, shtatë fëmijë dhe dy burra.
Zjarrfikësit kanë arritur ta vënë zjarrin nën kontroll, dhe personat e plagosur janë transportuar për trajtim mjekësor, përfshirë edhe repartet e kujdesit intensiv. Në momentin e shpërthimit të zjarrit, në repart ndodheshin 15 foshnje të porsalindura.
Shkaqet e zjarrit ende nuk janë bërë të ditura dhe autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, ka shprehur “pikëllim të thellë dhe keqardhje të sinqertë” për këtë tragjedi dhe ka kërkuar një hetim të menjëhershëm. Në një deklaratë nga zyra e tij, theksohet se “një situatë e tillë me fëmijët është e pakthyeshme”, ndërsa u shprehën ngushëllime familjeve të foshnjave të humbura.
PIMS është një nga spitalet më të mëdha shtetërore në Islamabad, ndërsa njësia e shëndetit të nënës dhe fëmijës disponon 156 shtretër.
Kjo ngjarje ngre sërish në vëmendje problemet e sigurisë nga zjarret në Pakistan. Vendi është përballur me disa zjarre të rënda në vitet e fundit, dhe zbatimi i dobët i standardeve të sigurisë në ndërtesa është përmendur shpesh si një nga faktorët që ka rënduar pasojat e këtyre tragjedive.
