Moti i keq në Itali: Stuhia shkakton dëme të mëdha në 10 kisha dhe 10 000 makina
Qyteti i Kremonës në Itali po përballet me pasojat e një stuhie të fuqishme me breshër, e cila goditi zonën pasditen e djeshme. Brenda vetëm 10 minutash, stuhia shkaktoi dëme të mëdha materiale.
Mbi 40 persona u plagosën, por asnjë prej tyre nuk raportohet të jetë në gjendje të rëndë. Gjithsej, 43 persona morën trajtim mjekësor në urgjencën e spitalit të Kremonës si pasojë e motit të keq. Shumica e tyre janë larguar nga spitali, një person mbeti nën vëzhgim, ndërsa katër pacientë me trauma u shtruan për trajtim.
Mjekët thanë se dëmtimet kryesore ishin trauma të shkaktuara nga rrëzimet ose nga përpjekjet për t’u mbrojtur nga breshëri, kryesisht në kokë dhe duar. Në katër raste u konstatuan fraktura të femurit.
Stuhia shkaktoi dëme të mëdha edhe në ndërtesa. Dhjetëra shtëpi dhe pallate mbetën pa çati, ndërsa të paktën tetë familje u evakuuan nga banesat e tyre. Stabiliteti i disa ndërtesave të tjera ende duhet të verifikohet.
Të paktën 10 kisha janë dëmtuar, përfshirë Katedralen e Kremonës. Qendra historike e qytetit është goditur rëndë, ndërsa mijëra pemë janë rrëzuar dhe rrugët janë mbushur me çati, tjegulla dhe gurë.
Dëme të konsiderueshme janë shkaktuar edhe në automjete, me të paktën 10 000 makina të dëmtuara nga breshëri. Një nga zonat më të prekura është edhe panairi i Kremonës, ku tre nga katër pavijonet kanë pësuar dëmtime.
