Himara: 130M € tendera, investime rekord për zhvillim

Mbi 130 milionë euro tendera në vit: Si është shndërruar Himara në një nga bashkitë më të fuqishme në vend, duke tejkaluar 10 herë Tiranën.

Bashkia e Himarës parashikon të zhvillojë gjatë vitit 2026 tendera me një vlerë prej rreth 130 milionë eurosh. Kjo shifër e vendos bashkinë, të drejtuar nga Vangjel Tavo, në një pozicion të veçantë përsa i përket fondeve që menaxhon, pavarësisht se Himara është një nga bashkitë me numrin më të vogël të banorëve në vend.

Sipas një hulumtimi të publikuar nga Kapitali, bazuar në dokumentet e publikuara në regjistrin e parashikimeve të Agjencisë së Prokurimit Publik, Bashkia e Himarës ka parashikuar tendera me vlerë rreth 130 milionë euro vetëm për këtë vit. Fondet lidhen me një sërë projektesh infrastrukturore, përfshirë ndërtimin dhe rikonstruksionin e rrugëve, sistemimin e fasadave, si dhe investime në rrjetin e kanalizimeve dhe ujësjellësit.

Himara, edhe pse hyn ndër 15 bashkitë më të vogla të Shqipërisë për nga popullsia, renditet e dyta pas Tiranës për fondet e parashikuara në terma absolutë. Bashkia ka më pak se 9 mijë banorë, ndërkohë që buxheti për Himarën arrin në rreth 10 mijë euro për banor, ndërsa për Tiranën kjo shifër është më pak se 1 mijë euro për banor.

Një tjetër faktor që ka ndikuar në rritjen e të ardhurave të bashkisë është zhvillimi i vrullshëm i sektorit të ndërtimit dhe turizmit në bregdet. Investimet në resorte dhe komplekse turistike kanë sjellë të ardhura përmes taksës së ndikimit në infrastrukturë, por edhe përmes taksave dhe tarifave të tjera vendore.

Në vëmendje është edhe menaxhimi i tenderave për ujësjellësit dhe kanalizimet. Gjatë muajve të fundit ka pasur debate mes Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Bashkisë së Himarës lidhur me institucionin që duhet të zhvillojë këto procedura. Në fund, procedurat kanë kaluar në kompetencë të bashkisë.

Rritja e fondeve dhe investimeve publike në Himarë vjen në një periudhë kur zona po përjeton një zhvillim të madh turistik dhe ndërtimor, duke e kthyer bashkinë në një prej qendrave kryesore të investimeve në bregdetin shqiptar. Vangjel Tavo është në drejtimin e Bashkisë prej afro dy vitesh, pas zgjedhjeve lokale të vitit 2023, të cilat u fituan nga Fredi Beleri. Beleri nuk e ushtroi detyrën për asnjë ditë për shkak të arrestimit me akuzën e blerjes së votave gjatë fushatës.

Scroll to Top