Sali Berisha “kalon oqeanin”! Kreu i PD njofton vizitën e parë në SHBA, 5 vite pasi u shpall “non grata”
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka njoftuar së shpejti do të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për herë të parë pas shpalljes së tij “non grata” nga DASH.
Berisha e ka bërë njoftimin gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, ku ka deklaruar se udhëtimi do të zhvillohet për të marrë pjesë në një konferencë që Partia Republikane do të zhvillojë në Teksas, në kuadër të zgjedhjeve të mesmandatit.
Ai bëri të ditur se është ftuar si pjesë e një delegacioni të Unionit Demokrat Ndërkombëtar, i përbërë nga drejtues të rreth 30 partive anëtare.
“Partia Republikane Amerikane zhvillon në Teksas konferencën për zgjedhjet e mid-term, që i quajnë ata zgjedhjet në mes të mandatit. Dhe Unioni Demokrat Ndërkombëtar, në të cilin Partia Republikane ka peshën më kryesore, se është partia më e madhe me të gjitha ato, ka krijuar një delegacion me kryetarët e rreth 30 partive të këtij unioni për të marrë pjesë në konferencën në Teksas,” deklaroi Berisha.
Kreu i PD-së tha se, përveç ftesës për të qenë pjesë e këtij delegacioni, ka marrë edhe një ftesë të dytë nga një institut amerikan që, sipas tij, ka lidhje me konferencën.
“Por përveç kësaj ftese në përbërje të delegacionit, unë kam dhe një ftesë tjetër nga një institut amerikan që ka lidhje me këtë konferencë. Kështu që unë pres dokumentet dhe do marr pjesë,” u shpreh ai.
Berisha nuk e bëri të ditur axhendën apo ditët saktë se kur do të udhëtojë, në atë që shënon vizitë të tij të parë zyrtare pasi u sanksionua nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Kujtojmë se më 11 qershor, Partia Demokratike doli me një njoftim ku deklarohej se Departamenti Amerikan i Shtetit ka hequr shpalljen “non grata” për Sali Berishën.
