Protestues të ndaluar në Tiranë me vezë e domate

VIDEO/ Policia ndalon dy protestues në Tiranë me vezë, domate dhe kastravec

Publikuar më 28.08.2026 nga Shek

TIRANË – Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot në kryeqytet një mbledhje me ministrat dhe drejtuesit politik të Partisë Socialiste në qarqe. Fillimisht ishte njoftuar se mbledhja do të mbahej në selinë e Partisë Socialiste, por më pas u zhvendos në Rezidencën Qeveritare, e njohur si Vila e Kuqe.

Protestuesit, të cilët zhvilluan sot ditën e 90-të radhazi protestën e tyre, kishin planifikuar të tuboheshin para selisë së PS-së. Megjithatë, kryeministri Rama ndryshoi vendin e mbledhjes, duke i “prishur planet” protestuesve.

Gjatë zhvillimit të protestës, dy nga pjesëmarrësit, Everest Imeraj dhe Ramiz Doda, u ndaluan nga policia. Lajmin e bëri të ditur aktivisti Arben Kola gjatë fjalës së tij në protestë. Të dy protestuesit u liruan më pas.

Everest Imeraj deklaroi se kishte me vete 7 vezë, 2 domate dhe një kastravec, të cilat dyshohet se mund të ishin për kryeministrin.

“Sapo dola nga Komisariati numër 1, më arrestuan së bashku me Ramiz Dodën. Me vete kisha 7 vezë, 2 domate dhe një kastravec,” shkroi ai.

Aktivisti Arben Kola komentoi ngjarjen duke thënë se qeverisë i ka hyrë frika.

“Sot dua të bëj një denoncim dhe thirrje për Policinë e Shtetit, e cila prej 90 ditësh është kthyer në policinë e turpit. Sot ishte lajmëruar një tubim para PS-së, por ata ndryshuan vendin e takimit për shkak të frikës, duke u mbyllur te Pallati i Brigadave, mes shkurreve. Dy zotërinj kishin dalë sot në shesh. Njëri kishte vezë, kurse tjetri kishte dy domate dhe vezë. U ka hyrë frika edhe prej domateve,” tha ai.

Protesta, e cila nisi fillimisht kundër ndërtimeve në zonën e mbrojtur të Nartës dhe Zvërnecit, tashmë ka si kërkesë largimin e qeverisë dhe ka zhvilluar sot tubimin e saj të 90-të radhazi në Tiranë.

Scroll to Top