“Çdo javë do të takoni qytetarët”/ Zbardhen porositë që Rama u la socialistëve në mbledhjen e sotme
Janë zbardhur detaje nga takimi që kryeministri Edi Rama ka zhvilluar ditën e sotme me ministrat, drejtuesit politikë, zëvendësministrat dhe deputetët.
Raportohet se Rama ka kërkuar ndërtimin e një skeme të personalizuar, e cila duhet të jetë e dedikuar për territorin dhe qytetarët që secili prej tyre mbulon.
Gjithashtu mësohet se Rama ka kërkuar që ata të zhvillojnë takime sistematike me qytetarët, madje që këto takime të jenë çdo javë. Qëllimi, sipas tij, është dëgjimi nga afër i shqetësimeve dhe problematikave të qytetarëve.
Një tjetër çështje e ngritur gjatë takimit ka qenë iniciativa “Pasqyrë Shqipëri”, ku mësohet se Rama ka kërkuar që kjo iniciativë të trajtohet si një rregull që duhet të zbatohet nga të gjithë.
Takimi u zhvillua me dyer të mbyllura dhe kishte karakter politik e organizativ, ndërsa në të morën pjesë drejtues politikë dhe ministra të kabinetit qeveritar.
Kujtojmë se takimi u zhvillua në një vilë qeveritare pranë Fshatit SOS, edhe pse ishte parashikuar të zhvillohej në selinë e Partisë Socialiste. Zhvendosja u bë për shkak se qytetarët paralajmëruan protesta pranë selisë rozë.
