Shqipëria, një “fshat i madh”: Vetëm 6 bashki klasifikohen si “qytet”
Një analizë e strukturës së vendbanimeve në Shqipëri tregon se shumica dërrmuese e bashkive kanë një karakteristike kryesisht rurale. Vetëm 6 prej tyre klasifikohen si “qytet”, ndërsa 13 si “qytezë dhe periferi”, dhe rreth dy të tretat e sistemit vendor, pra 42 bashki, kanë karakter mbizotërues rural.
Sipas Raportit Përfundimtar për Reformën Administrativo-Territoriale 2.0, duke përdorur metodologjinë DEGURBA dhe të dhënat e Censit 2023, Bashkia e Kamzës rezulton të jetë më e urbanizuar, me 99% të popullsisë që jeton në vendbanime urbane. Tirana renditet e dyta me 93,2% dhe Durrësi e treta me 84,5%.
Në krahun tjetër të spektrit, shumë bashki nuk posedojnë një bërthamë urbane që plotëson kriteret ndërkombëtare për klasifikim, siç është pragu prej rreth 5 mijë banorësh.
Pas tre bashkive kryesore, normat më të larta të urbanizimit regjistrohen në:
- Vlorë (81%)
- Sarandë (78,6%)
- Gjirokastër (76,4%)
- Korçë (76,1%)
- Shkodër (74,2%)
Gjithashtu, Berati, Kuçova dhe Elbasani kanë mbi 70% të popullsisë në vendbanime urbane. Vora arrin 64%, Shijaku 62,6% dhe Pogradeci 59,1%.
Situata është rrënjësisht e ndryshme në pjesën tjetër të vendit. Një numër i konsiderueshëm bashkish kanë norma shumë të ulëta ose zero urbanizimi. Këtu përfshihen Himara, Përmeti, Tepelena, Delvina, Konispoli, Selenica, Divjaka, Mirdita, Puka, Fushë-Arrëza, Tropoja dhe Hasi. Arsyeja kryesore është se qendrat e tyre administrative nuk arrijnë popullsinë prej 5 mijë banorësh, e cila përbën pragun e metodologjisë.
Raporti sqaron se norma zero të urbanizimit nuk nënkuptojnë mungesën e një qendre administrative apo vendbanimesh tradicionale. Siç ilustrohet nga rasti i Himarës, pavarësisht profilin të fortë turistik dhe bregdetar, mungesa e një grupimi të pandërprerë banorësh me mbi 5 mijë banorë sipas kriterit të metodologjisë, sjell një normë urbanizimi prej 0%.
Këto të dhëna nxjerrin në pah një polarizim të fortë territorial në Shqipëri. Nga njëra anë, kemi kryeqytetin, korridorin metropolitane dhe disa qendra rajonale të konsoliduara. Nga ana tjetër, një pjesë e konsiderueshme e bashkive funksionojnë si territore me vendbanime të vogla dhe të shpërndara, pa një bërthamë urbane dominuese.
Ky ndarje gjeografike ka pasoja të drejtpërdrejta në organizimin e shërbimeve publike. Bashkitë me popullsi të shpërndarë përballen me kosto më të larta për ofrimin e shërbimeve për banor, për shkak të distancave, infrastrukturës së pamjaftueshme dhe kostove fikse. Ndërkohë, qendrat më të urbanizuara përjetojnë presion më të madh mbi transportin, strehimin dhe infrastrukturën.
Burimi: Ministria e Financave, B.Hoxha
