Turizmi vuan, Shqipëria lëshon kryesimin europian të net-qëndrimeve, Kosova në rritje
Në tre vitet e fundit, Shqipëria kryesoi Europën për nga ritmi më i shpejtë i rritjes së net-qëndrimeve turistike, si nga vendasit, ashtu edhe nga të huajt, duke shënuar rritje dyshifrore. Këtë vit, vendi e ka humbur këtë pozitë udhëheqëse.
Të dhënat e Eurostat për periudhën janar-qershor tregojnë se net-qëndrimet e turistëve në total u rritën me 9.1%. Kjo rritje përfshin 10.2% për vendasit dhe 8.7% për të huajt. Megjithatë, ky nivel është dukshëm më i ulët krahasuar me vitin 2025, kur net-qëndrimet u zgjeruan me 30%, duke lënë pas shtetet e tjera të Europës (ku vendi i dytë kishte një rritje prej 10%).
Përveçse shënoi rritje njëshifrore këtë vit, Shqipëria zuri vendin e tretë, pas Irlandës (me 14.6%) dhe Maltës (me 9.9%).
Bie në sy rritja e shpejtë e Kosovës, e cila renditet e katërta në Europë për gjashtëmujorin, me një rritje prej 5.9% (4.5% turizmi i brendshëm dhe 7.1% turizmi ndërkombëtar). Madje, gjatë tremujorit të dytë, Kosova ia kaloi dukshëm Shqipërisë për rritjen e net-qëndrimeve nga turistët e huaj, duke regjistruar +17.7% krahasuar me prill-qershor 2025, ndërsa Shqipëria shënoi +8.5% për të njëjtën periudhë.
Në Shqipëri, për periudhën janar-qershor 2026, u shënuan 3.38 milionë net-qëndrime turistike, nga të cilat 2.45 milionë u kryen nga të huajt. Në Kosovë, për të njëjtën periudhë, u regjistruan rreth 800 mijë net-qëndrime turistike, ku 432 mijë ishin nga të huajt.
Situata në Europë
Në gjysmën e parë të vitit 2026, në strukturat akomoduese turistike në Bashkimin Europian u regjistruan 1 miliard e 321 milionë net-qëndrime, me një rritje prej 1.7% krahasuar me gjashtë muajt e parë të vitit 2025, kur ishin regjistruar 1 miliard e 299 milionë, sipas të dhënave të Eurostat.
Sipas vendeve, Irlanda (+14.6%), Malta (+9.9%) dhe Sllovakia (+5.9%) shënuan rritjet më të larta të net-qëndrimeve në strukturat turistike gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak. Ndërkohë, nëntë vende regjistruan rënie të numrit të net-qëndrimeve. Tkurrja më e fortë u shënua në Qipro, me 7.7%, e ndjekur nga Rumania, me 6.7%.
Gjatë gjashtë muajve të parë të vitit, turistët e huaj regjistruan 645.4 milionë net-qëndrime në strukturat akomoduese të vendeve të BE-së, një rritje prej 2.5% krahasuar me 629.4 milionë në gjysmën e parë të vitit 2025. Net-qëndrimet e turistëve vendas u rritën me 0.9%, duke arritur në 675.7 milionë, ose 5.8 milionë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Të dhënat për vendet tregojnë se 18 nga 27 shtetet anëtare të BE-së shënuan rritje të net-qëndrimeve në gjysmën e parë të vitit 2026. Rënia më e madhe u regjistrua në Qipro, me 7.7%, e cila u ndikua kryesisht nga tkurrja e ndjeshme e net-qëndrimeve të turistëve të huaj (-8.2%).
Në vlerë absolute, kontributin më të madh në rritjen e përgjithshme prej 21.8 milionë net-qëndrimesh, krahasuar me gjysmën e parë të vitit 2025, e dhanë Italia, Spanja dhe Franca:
- Italia regjistroi 6.7 milionë net-qëndrime më shumë, duke arritur në 219.5 milionë.
- Spanja shtoi 3.4 milionë net-qëndrime, duke arritur në 222.8 milionë.
- Franca shtoi 2.6 milionë net-qëndrime, duke arritur në 193 milionë.
Në Itali dhe Francë, rritja u nxit kryesisht nga turizmi i huaj, ndërsa në Spanjë, turizmi vendas dha kontributin më të madh në rritjen e përgjithshme gjatë gjysmës së parë të vitit 2026.
