### Shkarkimi i Ristanit nga Veliaj, PD kërkon mbledhje urgjente të Këshillit Bashkiak: Kush e drejton sot Bashkinë e Tiranës?
Pas shkarkimit të Anuela Ristanit nga pozicioni i kryetares së komanduar të Bashkisë së Tiranës, Partia Demokratike ka kërkuar sqarime zyrtare lidhur me situatën institucionale në bashki.
Disa ditë më parë, kryetari në detyrë i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili aktualisht ndodhet në burg, hoqi kompetencat e znj. Ristanit me argumentin se ajo nuk kishte zbatuar urdhrat e tij dhe se kishte munguar koordinimi institucional. Sot, znj. Ristani është shkarkuar nga pozicioni i nënkryetares së Bashkisë, duke lënë pas 11 vite shërbim në këtë funksion.
Këshilltarja bashkiake e PD-së, Ilda Zhulali, i është drejtuar kryetares së Këshillit Bashkiak të Tiranës, Megi Fino, duke kërkuar informacion të plotë mbi drejtimin aktual të institucionit dhe zinxhirin e komandimit. Zhulali kërkon që të bëhet publike shkresa zyrtare e shkarkimit të Ristanit, me qëllim që të qartësohet se kush e ushtron aktualisht funksionin drejtues në Bashkinë e Tiranës dhe kush ka kompetencën për të firmosur kontrata, marrëveshje financiare dhe akte të tjera administrative.
Në kërkesën e saj, këshilltarja demokrate ngre gjithashtu pikëpyetje mbi statusin e firmës së kryebashkiakut Erion Veliaj, duke kërkuar të sqarohet nëse ajo vijon të konsiderohet si vullnet legjitim dhe i vlefshëm për vendimmarrje institucionale.
Një tjetër çështje e ngritur nga Zhulali lidhet me situatën financiare të operatorëve të transportit publik dhe paralajmërimet për vështirësi në funksionimin e shërbimit. Ajo kërkon informacion mbi shkaqet e problemeve financiare të operatorëve, negociatat që Bashkia e Tiranës ka zhvilluar me ta, si dhe masat konkrete që po ndërmerren për të shmangur reduktimin e numrit të autobusëve dhe për të garantuar vijimësinë e transportit publik për qytetarët.
Përballë këtyre pikëpyetjeve, Zhulali ka kërkuar thirrjen e një seance urgjente të Këshillit Bashkiak të Tiranës. Gjithashtu, ajo kërkon që përgjigjet për çështjet e ngritura të jepen me shkrim dhe që këshilltarëve t’u vihet në dispozicion dokumentacioni zyrtar përkatës.
**Shkresa e plotë:**
“E nderuar Zj. Kryetare,
**I. Lëvizjet në drejtimin e Bashkisë Tiranë:**
Përmes medias jam njohur me lajmin se Erion Veliaj, aktualisht në gjendje paraburgimi, ka shkarkuar për herë të dytë brenda pak muajsh znj. Anuela Ristani nga funksioni i kryetares së komanduar/ushtruese të detyrës së Bashkisë Tiranë. Ky lajm ka krijuar pasiguri të plotë ligjore dhe publike mbi drejtimin aktual të Bashkisë Tiranë, dhe kërkon sqarim të menjëhershëm dhe zyrtar përpara Këshillit Bashkiak dhe qytetarëve të Tiranës.
Në këtë kuadër, kërkoj të informohem zyrtarisht dhe në mënyrë shterruese mbi sa vijon:
1. Njohjen me shkresën zyrtare përmes së cilës është kryer ky shkarkim i dytë, dhe kohën kur është firmosur dhe protokolluar ajo?
2. Kush ushtron aktualisht, në mënyrë të ligjshme dhe zyrtare, funksionin e kryetarit/es të Bashkisë Tiranë, apo të ushtruesit/es të detyrës, pas lajmit të shkarkimit të znj. Anuela Ristani?
3. Kush ka aktualisht autoritetin institucional për të negociuar, vendosur dhe firmosur në emër të Bashkisë Tiranë, përfshirë kontrata, marrëveshje financiare, akte administrative dhe vendime me efekt mbi buxhetin e bashkisë?
4. A ekziston sot një zinxhir i qartë dhe i pandërprerë komandimi institucional brenda Bashkisë Tiranë, dhe nëse po, kërkoj të na vihet në dispozicion dokumentacioni zyrtar përkatës?
5. Cilat masa janë marrë apo parashikohet të merren për të garantuar vazhdimësinë e funksionimit normal institucional të bashkisë, në kushtet e kësaj paqëndrueshmërie drejtuese?
6. A njihet zyrtarisht prej Bashkisë Tiranë firma e Erion Veliaj si vullnet legjitim vendimmarrës?
Kujtoj se një situatë e ngjashme u krijua disa muaj më herët, kur u shkarkua znj. Ristani dhe në vend të saj u emërua znj. Goxhaj, për të cilën nuk pati asnjëherë një përgjigje zyrtare!
**II. Kriza në transportin publik urban:**
Paralelisht, përmes medias jam njohur me paralajmërimin e Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas dhe Shoqatës së Transportit Urban dhe Interurban, datë 11 gusht 2026, mbi rrezikun e reduktimit të kapaciteteve të flotës së transportit publik. Duke patur parasysh rëndësinë dhe peshën e këtij shërbimi për jetën e përditshme të banorëve të Tiranës, si dhe personave të tjerë (vendas apo të huaj) që përdorin transportin publik, kërkoj sqarime zyrtare mbi sa vijon:
7. Cilat janë arsyet konkrete të krizës financiare të operatorëve të transportit publik urban?
8. Kush është aktualisht, në emër të Bashkisë Tiranë, në kontakt dhe/ose negociata me Shoqatën Kombëtare të Transportit Qytetas dhe Shoqatën e Transportit Urban dhe Interurban, dhe me institucionet qendrore përgjegjëse?
9. Cilat masa konkrete po ndërmerren nga Bashkia Tiranë për të parandaluar reduktimin e numrit të autobusëve në qarkullim dhe për të garantuar vijimësinë normale të shërbimit të transportit publik?
10. A është realizuar ndonjë komunikim zyrtar deri më sot mbi këtë çështje, dhe nëse po, kërkoj kopje të korrespondencës përkatëse.
Në bazë të sa më sipër, kërkoj:
1. Thirrjen e një seance urgjente/të jashtëzakonshme të Këshillit Bashkiak Tiranë, me rend dite situatën e drejtimit të Bashkisë Tiranë dhe krizën e paralajmëruar të transportit publik urban.
2. Përgjigje zyrtare me shkrim ndaj çdo pike të ngritur, brenda afateve të parashikuara nga ligji dhe rregullorja e Këshillit Bashkiak.
3. Vënien në dispozicion të çdo dokumentacioni zyrtar mbështetës, përfshirë akte administrative, korrespondencë institucionale dhe informacion financiar përkatës.
Qytetarët dhe Këshilli Bashkiak i Tiranës kanë të drejtën ligjore dhe legjitime të dinë se kush drejton institucionin që administron buxhetin dhe shërbimet e kryeqytetit, dhe të kenë siguri se vazhdimësia e shërbimeve publike thelbësore, si transporti urban, nuk rrezikohet nga kaosi institucional.
Në pritje të një përgjigjeje të shpejtë, duke ju falënderuar,
Ilda Zhulali
Këshilltare
Nënkryetare e Grupit Partia Demokratike”
