“`html
Testi i Besës: Rama njofton ndryshime në inspektimet e bizneseve
Kryeministri Edi Rama njoftoi të mërkurën një reformë në mënyrën e zhvillimit të inspektimeve ndaj bizneseve, të quajtur “Testi i Besës”. Ky model i ri parashikon që inspektimet rutinë të bëhen vetëm pas paralajmërimit, gjoba të jetë masa e fundit dhe inspektorët të mbikëqyren me kamera trupi.
Rama theksoi se kontrollet e inspektorateve duhet të kalojnë “Testin e Besës”, duke shtuar se nuk do të ketë më inspektime pa paralajmërim për kontrollet rutinë.
“Inspektori nuk vjen te dera e biznesit në një skenë krimi, por si shteti që njofton, të mbikëqyr dhe të ndihmon të korrigjohesh,” u shpreh ai. Kryeministri theksoi se qëllimi nuk është kapja e subjekteve në gabime, por ndihma për përmirësimin e tyre në zbatimin e ligjit dhe standardeve, të cilat janë në interesin e përbashkët.
Një tjetër element i rëndësishëm i modelit të ri është mënyra e vendosjes së masave administrative. Rama sqaroi se gjoba duhet të përdoret si masa e fundit, jo si veprimi i parë i inspektorit. “Dhe kush nxjerr gjobën para fjalës së mirë, nuk po e mbron shtetin, po e turpëron atë,” shtoi ai.
Për më tepër, bizneset do të kenë të drejtën të denoncojnë menjëherë rastet kur një inspektorat paraqitet pa paralajmërim për një kontroll rutinë. “Kjo nuk është ankesë, por e drejtë, dhe këtë të drejtë ne mund ta vendosim vetëm së bashku, qeveria dhe sipërmarrja,” tha Kryeministri.
Ndryshimet e paralajmëruara përfshijnë edhe pajisjen e inspektorëve me kamera trupi dhe uniforma. Rama tha se së shpejti çdo inspektor që paraqitet pranë një tatimpaguesi në emër të shtetit do të jetë i identifikueshëm dhe i monitoruar gjatë ushtrimit të detyrës. “Shteti që hyn në derën e njerëzve duhet t’i bëjë ata krenarë për taksat që ata i paguajnë këtij shteti,” përfundoi ai.
“`
