Krim makabër në Austri: Shqiptare e vrarë me çekiç nga vëllai i partnerit; autori i gjetur në gjak dhe pa deklarime
Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Grazit në Austri, ku një 24-vjeçare shqiptare, identiteti i së cilës është konfirmuar si Abigel Laçi, me origjinë nga Vlora, u gjet e pajetë në apartamentin ku jetonte me partnerin.
Sipas raportimeve të mediave austriake, e reja dyshohet se është vrarë me mjete të forta, konkretisht me çekiç. Si autor i dyshuar i krimit është identifikuar vëllai i partnerit të saj.
Ngjarja ka ndodhur rreth mesditës së së enjtes, më 3 shtator, në një apartament të vendosur në qendër të Grazit. Policia mori njoftimin rreth orës 12:40 dhe në momentin e mbërritjes në vendngjarje, konstatoi se 24-vjeçarja nuk shfaqte shenja jete. Autoritetet bënë të ditur se viktima ndërroi jetë në vendin e ngjarjes si pasojë e plagëve të marra.
Një 23-vjeçar, i cili sipas dëshmitarëve ishte i mbuluar në gjak, u arrestua nga policia në shkallët e ndërtesës. Në deklarimet fillestare, autoritetet thanë se i riu kishte lidhje familjare me viktimën. Më vonë u sqarua se ai ishte vëllai i partnerit të Abigel Laçit.
Të dhënat paraprake të hetimit sugjerojnë se 23-vjeçari kishte shkuar i vetëm në apartament dhe kishte hyrë me forcë. Në momentin e ngjarjes, Abigel Laçi ndodhej e vetme në banesë, pasi partneri i saj nuk ishte prezent.
Hetuesit dyshojnë se për kryerjen e krimit është përdorur një çekiç. Për shkak të hetimit ende në vijim, autoritetet nuk kanë zbuluar të gjitha detajet e ngjarjes.
I dyshuari ka zgjedhur të mos japë asnjë deklarim gjatë marrjes në pyetje, duke mos ofruar shpjegime për ngjarjen apo motivin e mundshëm. Ndërkohë, është kryer autopsia e trupit të viktimës dhe hetimet po vijojnë intensivisht për të sqaruar rrethanat dhe motivin e këtij krimi të rëndë.
