Klodiana Spahiu Propozohet për Krye të Shëndetësisë, Vendimi në Kuvend të Martën
TIRANË – Klodiana Spahiu pritet të marrë drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë, duke u bërë pasuese e Evis Salës. Spahiu, e cila është me profesion mjeke, aktualisht mban postin e nënkryetares së Kuvendit nga radhët e Partisë Socialiste, si dhe është deputete për qarkun e Durrësit.
Evis Sala dha dorëheqjen nga posti i ministres së Shëndetësisë dje, pas më pak se një viti në detyrë, duke shprehur dëshirën për t’iu përkushtuar karrierës akademike. Vendimi për emërimin e Spahiut pritet të shqyrtohet nga Kuvendi në seancën e së martës.
Kush është Klodiana Spahiu:
Klodiana Spahiu ka lindur në Durrës më 22 maj 1973. Ajo është diplomuar në degën Mjekësi e Përgjithshme pranë Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1997. Më pas, në periudhën 1998-2002, është specializuar në Kardiologji pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.
Gjatë karrierës së saj, Spahiu ka kryer disa specializime ndërkombëtare në fushën e kardiologjisë joinvazive, duke përfshirë ekokardiografinë, PU-EKG dhe Eko-Doppler të karotideve, pranë Universitetit Katolik “Sacro Cuore” në Romë.
Në vitet 2003-2004 ka vijuar studimet pasuniversitare, ndërsa në vitin 2005 ka kryer specializim në Kardiologjinë Invazive, kateterizimin dhe koronarografinë e zemrës në Spitalin “Santa Chiara” në Pisa, Itali.
Në periudhën 2012-2014, ajo ka përfunduar masterin profesional në Menaxhim Shëndetësor.
Spahiu ka ushtruar profesionin e mjekes kardiologe në Klinikën e Parë të Kardiologjisë në QSUT dhe gjatë viteve 2003-2009 ka punuar në Spitalin e Durrësit, ku më pas është zgjedhur drejtore.
Krahas angazhimit profesional, ajo ka pasur edhe një karrierë akademike. Ka qenë pedagoge në Universitetin e Tiranës (2002-2003) dhe në Universitetin Privat “UFO” (2006), si dhe docente në praktikat e kardiologjisë pranë Universitetit “Zonja e Këshillit të Mirë” (nga viti 2008 e në vazhdim). Ajo mban gjithashtu titullin “Doktore e Shkencave Mjekësore”.
Në fushën politike, Klodiana Spahiu është deputete e Kuvendit të Shqipërisë që nga viti 2009. Gjatë mandateve të saj, ajo ka qenë anëtare e disa komisioneve dhe nënkomisioneve parlamentare, ka drejtuar apo qenë anëtare e grupeve të miqësisë, si dhe ka mbajtur postin e nënkryetares së Kuvendit.
