Konflikti në Ngushticën e Hormuzit përshkallëzohet, pasi Irani godet një mjet ajror pa pilot amerikan pas sulmeve ndaj cisternave iraniane.
Garda Revolucionare iraniane ka deklaruar se ka goditur një mjet sipërfaqësor ushtarak amerikan pa pilot, i cili, sipas tyre, po përpiqej të hynte në një zonë të mbrojtur të Ngushticës së Hormuzit. Ky sulm erdhi pas goditjeve amerikane ndaj tre cisternave iraniane të naftës në Gjirin Persik.
Garda Revolucionare shpjegoi se cisternat po lundronin në rrugëkalime që Teherani i konsideron të paautorizuara. Deklarata iraniane shtoi se, përveç cisternave të naftës, janë shënjestruar edhe tre anije amerikane në zona të tjera. Irani ka paralajmëruar anijet e tjera që të mos tentojnë të kalojnë përmes rrugëve detare që nuk janë miratuar prej tyre.
Nga ana tjetër, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) konfirmoi goditjen e tre cisternave iraniane. Ushtria amerikane njoftoi se dy prej tyre ishin “paaftësuar përgjithmonë”, ndërsa e treta ishte “shkatërruar plotësisht”. Sipas CENTCOM-it, cisternat ishin pjesë e një rrjeti të fshehtë që, sipas SHBA-së, financon Gardën Revolucionare iraniane dhe grupet e lidhura me të me miliarda dollarë.
Njëra nga anijet u godit pranë ishullit Kharg, ku ndodhet terminali kryesor i eksportit të naftës së Iranit në Gjirin Persik. Një tjetër u shënjestrua pranë Jaskut, në afërsi të Ngushticës së Hormuzit, ndërsa e treta në Gjirin e Omanit.
Irani e ka cilësuar sulmin amerikan ndaj cisternave si “akt dëshpërimi”, ndërsa Teherani vazhdon të kufizojë lëvizjen e anijeve nëpër Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare për tregtinë globale të energjisë. Përplasja e fundit vjen në një moment kur përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Lindjen e Mesme kanë ngecur.
Ndërkohë, SHBA-ja ka përsëritur synimin për të rritur presionin ekonomik ndaj Iranit. Tensionet janë shoqëruar edhe me kërcënime të reja ushtarake. Komandanti i Shtabit të Përbashkët të Iranit, Khattam al-Anbiya, paralajmëroi se nëse armiqësitë vazhdojnë, sulmet ndaj anijeve luftarake amerikane në rajon do të jenë edhe më të ashpra.
Uashingtoni nga ana e tij sqaroi se sulmet e fundit u ndërmorën pasi një aeroplanmbajtëse amerikane dhe një shkatërrues ishin përballur me sulme të shumta iraniane. Sipas ushtrisë amerikane, nga këto incidente nuk pati të plagosur në radhët e personelit amerikan.
