Netanyahu kërcënon Iranin: Fundi i regjimit po afron

Netanyahu kërcënon Iranin: Fundi i regjimit po afron, do ta përfundojmë misionin

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se Izraeli është i vendosur të “përfundojë misionin” e tij ndaj Iranit, duke e cilësuar përmbysjen e regjimit në Teheran si një prej objektivave kryesore.

Netanyahu tha se regjimi iranian është dobësuar dhe se po përballet me vështirësi serioze. “Regjimi është i dobët, po lufton për jetën e tij, po lëkundet”, deklaroi kryeministri izraelit.

Ai paralajmëroi gjithashtu Teheranin se çdo sulm i ri ndaj Izraelit do të sillte një kundërpërgjigje të fuqishme. “Nëse Irani bën gabimin të na sulmojë, do të pësojë një goditje që as nuk mund ta imagjinojë”, u shpreh Netanyahu.

Deklaratat vijnë në një periudhë të tensionuar, mes shqetësimeve se Irani mund të ndërmarrë një sulm ndaj Izraelit gjatë sezonit të festave hebraike, që nis javën e ardhshme me Rosh Hashanah.

Netanyahu kishte bërë deklarata të ngjashme edhe të enjten, kur e cilësoi përmbysjen e regjimit iranian si “misionin qendror” të Izraelit.

Në të njëjtën kohë, kryeministri izraelit ka argumentuar se operacionet ushtarake të Izraelit që prej sulmit të 7 tetorit 2023 kanë kontribuar në dobësimin e kërcënimeve që lidhen me programet bërthamore dhe raketore të Iranit.

Scroll to Top