Paraja e pista rrezikon 10 miliardë euro; zgjidhja kërkon 5 vjet

Ekonomia e varur nga paraja e pista, ndërprerja e menjëhershme rrezikon zhvlerësimin e 10 miliardë eurove

Nga Pano Soko, ekonomist

Duhet kuptuar se problemi më i madh i krijuar nga integrimi për një kohë të gjatë i parave të pista në ekonomi është se tashmë ato janë kthyer në një komponent real, me peshë dhe efekt të ndjeshëm brenda strukturës makroekonomike. Paratë e pista luajnë rol thelbësor në dy fusha kryesore.

Së pari, ndikimi në sektorët e ekonomisë, veçanërisht në ndërtimtarinë dhe shërbimet. Sektori i ndërtimtarisë ka një varësi thuajse jetike nga furnizimi me para që vijnë nga jashtë ekonomisë së pastër për të vijuar të performojë. Kjo ndodh sepse ky sektor ka tejkaluar pikën e ekuilibrit natyror të kërkesës. Shqipëria ka aktualisht më shumë ndërtime sesa nevojat organike për hapësira banimi apo biznese. Kemi më shumë banesa sesa nevojitet për popullsinë dhe më shumë ambiente biznesi sesa kërkon realisht ekonomia. Në mungesë të kërkesës organike, sektori ka performuar falë kapitalit të jashtëm, duke e kthyer varësinë nga ky kapital në diçka jetike.

Sektori i shërbimeve, nga ana tjetër, është fryrë pasi në shumë raste është përdorur si mekanizëm për pastrimin e parave, duke zhvendosur një pjesë të konsiderueshme të kapitalit në këtë sektor.

Së dyti, kursi i këmbimit. Kursi aktual nuk bazohet në raportet e kërkesës dhe ofertës për valutë të huaj të gjeneruar nga ekonomia. Përsëri, faktorë jashtë ekonomisë së pastër, pra kapitali i huaj, kanë përcaktuar këtë kurs këmbimi të deformuar.

Në rast të një ndërprerjeje të menjëhershme të hyrjes së parave nga jashtë ekonomisë së pastër, efekti do të ishte traumatik për të gjithë ekonominë dhe më gjerë, duke arritur deri në shok klinik.

Sektori i ndërtimit do të ishte i pari që do të përjetonte një rënie drastike. Një ulje e kërkesës prej rreth 70% do të nisë një spirale negative. Ulja e kërkesës do të sjellë uljen e çmimeve. Kjo do të krijojë panik tek ata që kanë blerë objekte ndërtimore (apartamente, zyra, garazhe), duke i shtyrë të nxjerrin në treg stoqet e tyre. Dalja e një sasie të madhe stoku në treg, veçanërisht kur kërkesa reale, me para të pastra, është shumë e ulët, do të ulte çmimet edhe më tej. Flluska do të plaste dhe tregu do të zhytet në kaos. Shumë kompani do të falimentonin, duke lënë vetëm ato që mund të përfitonin nga tenderët shtetërorë.

Problemi i vërtetë do të shfaqej kur kriza e sektorit të ndërtimit të përhapej te stoku i kredive që bankat kanë dhënë për këtë sektor. Sektori financiar do të pësonte goditje të forta, potencialisht fatale.

Me një ekspozim prej rreth 1.2 miliardë eurosh në ndërtimtari dhe pasuri të paluajtshme, goditja e parë për sistemin bankar do të vinte nga paratë që bankat presin të marrin nga kreditë e dhëna për blerjen e apartamenteve apo financimin e ndërtimtarisë.

Për më tepër, kriza në ndërtim do të prekte të gjitha pasuritë e paluajtshme, duke sjellë zhvlerësimin e tyre. Duke qenë se pasuritë e paluajtshme përbëjnë një pjesë të mirë të kolateralit për stokun total të kredive prej 5 miliardë eurosh, infeksioni do të prekte të gjithë stokun e kredisë. Bankat do të humbnin mbulimin e tyre me kolateral, duke nxitur mosshlyerjen e kredive dhe duke sjellë kolapsin e të gjithë sistemit financiar. Kjo do të shoqërohej me falimentime bankash, shtetëzime, aktivizimin e sigurimit të depozitave dhe kërkesën për lehtësim sasior nga Banka e Shqipërisë. Ky lehtësim sasior do të përkeqësonte situatën në drejtimin tjetër.

Problemi më i madh nga ndërprerja e menjëhershme e kapitalit të huaj nuk është rrëzimi i sektorit të ndërtimit apo kriza financiare, por rrëzimi i kursit të këmbimit.

Zhdervlerësimi i Lekut do të ndodhte menjëherë, brenda disa javësh ose dy-tre muajsh. Bazuar në të dhënat aktuale të ekonomisë së pastër dhe krahasuar me periudhat pa infiltrim parash të pista, kursi natyror i këmbimit do të ishte 1 euro për 130-140 lekë. Aktualisht, importet zënë peshë të madhe në ekonomi, duke qenë se prodhimi shqiptar ka humbur terren për shkak të kursit të këmbimit. Me importet që zënë rreth 70% të konsumit dhe një përqindje edhe më të lartë tek investimet, një zhvlerësim i monedhës me 45-55% do të prodhonte inflacion të paktën 30-40%.

Për familjet shqiptare, kjo do të nënkuptonte shuarjen e pasurisë dhe të ardhurave me të paktën 30-40% brenda një periudhe shumë të shkurtër. E njëjta situatë do të prekte edhe investimet e kompanive.

Nëse lejojmë një spekulim të përgjithshëm, bëhet fjalë për një shuarje pasurie që do të arrinte rreth 10 miliardë euro për të gjithë ekonominë. Kjo shifër do të ishte shumë më e lartë se humbja e shkaktuar nga kriza e piramidave në vitin 1997.

Përfundimisht, kapitali i huaj aktualisht është si një tumor që ka pushtuar organet jetësore të trupit dhe që nuk mund të hiqet në mënyrë kirurgjikale pa rrezikuar vdekjen e pacientit.

Detoksikimi i ekonomisë nga paraja e pista kërkon një strategji të qartë, një ndërprerje graduale që të zgjasë minimalisht pesë vjet, dhe në të njëjtën kohë, fuqizimin e burimeve zëvendësuese, përmes eksporteve të prodhimit dhe shërbimeve të brendshme.

Kosto

Nëse lejojmë një spekulim të përgjithshëm, bëhet fjalë për një shuarje pasurie që do të arrinte rreth 10 miliardë euro për të gjithë ekonominë. Kjo do të ishte shumë më e lartë se humbja e shkaktuar nga kriza e piramidave në vitin 1997.

Scroll to Top