Shoqata “Manifaktura Shqiptare” kërkon gjashtë masa në Paketën Fiskale 2027 për uljen e kostove të prodhimit.
Shoqata “Manifaktura Shqiptare” i ka paraqitur Ministrisë së Financave gjashtë kërkesa prioritare për t’u përfshirë në Paketën Fiskale 2027. Këto kërkesa përfshijnë lehtësimin e kostos së punës, uljen e tarifave doganore për lëndët e para, përjashtimin nga tatimfitimi i fitimeve të riinvestuara dhe krijimin e një skeme të posaçme grantesh për teknologjinë dhe automatizimin.
Në kërkesën drejtuar ministrit të Financave, Petrit Malaj, dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, Shoqata argumenton se industria prodhuese po përballet me një periudhë të vështirë për shkak të kostove të larta të punës dhe prodhimit, luhatjeve të kursit të këmbimit, mungesës së fuqisë punëtore, konkurrencës ndërkombëtare dhe nevojës për investime të konsiderueshme në teknologji dhe automatizim. Sipas tyre, procesi i integrimit në Bashkimin Europian do të kërkojë nga kompanitë shqiptare përshtatje me standarde më të larta teknologjike, mjedisore dhe organizative, duke rritur nevojën për instrumente fiskale dhe financiare mbështetëse.
Propozimet e Shoqatës “Manifaktura Shqiptare” janë:
- Harmonizimi i pragut të patatueshëm me pagën minimale: Kërkohet që përllogaritja e tatimit mbi të ardhurat nga paga të nisë mbi nivelin e pagës minimale dhe ky prag të ndryshojë automatikisht sa herë ndryshon paga minimale. Kjo masë do të shmangë rritjen automatike të barrës fiskale mbi të ardhurat e punëmarrësve dhe do të ketë një ndikim pozitiv veçanërisht në sektorët me intensitet të lartë punësimi.
- Lehtësimi i kostos së punës për sektorët me intensitet të lartë punësimi: Shoqata propozon reduktimin ose kompensimin e pjesshëm të kontributeve të sigurimeve shoqërore që paguan punëdhënësi për sektorët prodhues me intensitet të lartë punësimi. Kjo masë mund të kushtëzohet me ruajtjen ose rritjen e numrit të vendeve të punës, formalizimin e punësimit dhe korrektësinë fiskale të kompanive përfituese.
- Rritja e normës së amortizimit fiskal nga 20% në 40%: Kërkohet rritja e normës së amortizimit fiskal për makineritë, pajisjet dhe teknologjinë prodhuese nga 20% në 40%. Amortizimi i përshpejtuar do t’u mundësonte kompanive rikuperimin më të shpejtë të investimeve dhe do të stimulonte modernizimin teknologjik, automatizimin dhe rritjen e produktivitetit.
- Rishikimi i tarifave doganore për lëndët e para: Shoqata propozon reduktimin ose heqjen e tarifave doganore për lëndët e para, materialet, aksesorët dhe komponentët që nuk prodhohen në Shqipëri dhe që përdoren drejtpërdrejt në procesin prodhues. Kjo kërkesë synon krijimin e kushteve më konkurruese për kompanitë që blejnë vetë lëndën e parë dhe realizojnë ciklin e plotë të prodhimit, duke i dalluar nga regjimi i përpunimit aktiv për mallra të destinuara për rieksportim.
- Përjashtimi nga tatim-fitimi i pjesës së fitimit që riinvestohet: Kërkohet që pjesa e fitimit të kompanisë që riinvestohet në aktivitetin prodhues të përjashtohet nga tatim-fitimi, kur përdoret për makineri, teknologji, automatizim, zgjerim kapacitetesh apo investime të tjera të lidhura drejtpërdrejt me prodhimin. Ky propozim mbështetet në parimin se fitimi që riinvestohet duhet të trajtohet fiskalisht ndryshe nga ai që shpërndahet.
- Krijimi i një skeme të posaçme grantesh për teknologjinë dhe automatizimin: Shoqata kërkon që në politikat fiskale dhe buxhetore për vitin 2027 të parashikohet një fond i dedikuar grantesh për modernizimin teknologjik të industrisë manifakturuese, duke përfshirë investime në makineri të avancuara, automatizim, robotikë, digjitalizim, softëare industrial dhe eficiencë energjetike. Skema mund të funksionojë mbi parimin e bashkëfinancimit shtet–biznes, duke mbuluar një përqindje të kostos së investimit.
Shoqata “Manifaktura Shqiptare” vlerëson se këto gjashtë masa duhet të trajtohen si pjesë e një politike të integruar për forcimin e industrisë prodhuese shqiptare, me qëllim ruajtjen e punësimit, nxitjen e investimeve, rritjen e produktivitetit dhe përgatitjen e kompanive shqiptare për konkurrencën në tregun e Bashkimit Europian.
Florjan Zekja, Kryetar i Shoqatës Manifaktura Shqiptare, thekson se Paketa Fiskale 2027 vjen në një moment kyç për ekonominë shqiptare, veçanërisht për industrinë prodhuese, duke pasur parasysh ndryshimet ekonomike, zhvillimet ndërkombëtare, rritjen e kostove, mungesën e fuqisë punëtore dhe presionin mbi konkurrueshmërinë. Ai thekson nevojën për një qasje të re ndaj politikave fiskale dhe rëndësinë e procesit të konsultimit me grupet e interesit.
“Industria prodhuese shqiptare po përballet njëkohësisht me nevojën për të ruajtur vendet e punës dhe me domosdoshmërinë për të investuar në teknologji, automatizim dhe rritje të produktivitetit. Në të njëjtën kohë, afrimi me Bashkimin Evropian do të kërkojë përshtatjen me standarde më të larta dhe do t’i ekspozojë kompanitë shqiptare ndaj një konkurrence shumë më të fortë,” thotë Zekja. Ai propozon që Paketa Fiskale 2027 të shërbejë si instrument i politikës ekonomike për orientimin e investimeve, nxitjen e formalizimit, mbështetjen e punësimit dhe rritjen e konkurrueshmërisë së prodhimit vendas.
Zekja shton se Shoqata hyri në procesin e konsultimit me një qasje konstruktive dhe me propozime konkrete, të mbështetura në problematikat reale të kompanive dhe në nevojën për një zhvillim të qëndrueshëm të sektorit. “Synimi nuk është krijimi i privilegjeve për një industri të caktuar, por ndërtimi i një mjedisi fiskal që u jep mundësi kompanive shqiptare të investojnë, të prodhojnë, të punësojnë dhe të konkurrojnë në kushte gjithnjë e më të vështira brenda dhe jashtë vendit.”