Sulm me dronë në Mesdhe: Anija ruse “Lady Mariia” në shënjestër

Një incident serio është raportuar në Mesdheun qendror, ku anija tregtare Ro-Ro “Lady Mariia”, me flamur rus, është sulmuar me dronë.

Ngjarja, që dyshohet të ketë ndodhur më 6 shtator 2026 në zonën detare mes Kretës dhe Libisë, ngre shqetësime të reja për sigurinë e anijeve tregtare në këtë pjesë të Mesdheut.

Sipas informacioneve nga mediat e specializuara detare dhe kompania e sigurisë detare Ambrey, anija është goditur të paktën tetë herë nga dronë ajrorë. Goditjet kanë shkaktuar një zjarr në bord, duke prekur kuvertën dhe zonën e oxhakut. Deri tani, nuk raportohet për viktima.

Anija “Lady Mariia”, me kapacitet 7,184 tonë, e ndërtuar në vitin 2000, figuron nën sanksione të Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës. Ajo është lidhur me transportin e pajisjeve ushtarake në interes të Rusisë.

Autorësia e sulmit nuk është konfirmuar zyrtarisht. Raportimet e qarkulluara e lidhin sulmin me Ukrainën, ndërsa janë ngritur edhe pretendime se dronët mund të kenë qenë nisur nga territori i Libisë. Këto versione nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur.

Pavarësisht se incidenti është përshkruar si i ndodhur “pranë Kretës”, anija nuk ndodhej brenda Zonës Greke të Kërkimit dhe Shpëtimit dhe nuk është regjistruar asnjë incident brenda juridiksionit grek. Kreta shërben si pikë referimi gjeografike për zonën ku ndodhi ngjarja.

Rëndësia e incidentit tejkalon vetë anijen “Lady Mariia”. Nëse konfirmohet se bëhet fjalë për një operacion ushtarak të planifikuar kundër një anijeje tregtare, kjo mund të sinjalizojë zgjerimin e rrezikut të sulmeve me dronë në Mesdheun qendror. Ky rajon është një korridor i rëndësishëm transporti detar, i përdorur nga anije të ndryshme, duke përfshirë ato me interes për kompanitë greke dhe ndërkombëtare.

Deri më tani, sulmet me dronë ndaj anijeve tregtare janë lidhur kryesisht me Detin e Zi, Detin e Kuq dhe zonën e Gjirit Persik. Një incident i tillë në Mesdheun qendror do të afronte rrezikun e drejtpërdrejtë me korridoret kryesore detare të Evropës Jugore.

Për kompanitë e transportit detar, mbetet për t’u parë nëse sulmi ndaj “Lady Mariia” ishte një rast i izoluar, apo nëse përfaqëson një ndryshim më të gjerë në shtrirjen gjeografike të operacioneve me dronë. Nëse incidente të tilla përsëriten, pasojat mund të jenë të konsiderueshme për vlerësimin e rrezikut, masat e sigurisë dhe kostot e sigurimit për lundrimin në Mesdhe.

Për momentin, hetimet vijojnë. Autorësia e sulmit, motivi dhe shkalla e plotë e dëmeve të shkaktuara në anije mbeten ende të paqarta.

Scroll to Top