Shqipëria ndërton pa fund, por mbetet e treta në Europë për privimin e rëndë nga strehimi
Shqipëria kryeson Europën për peshën e sektorit të ndërtimit në ekonomi, por ky aktivitet i dendur nuk ka sjellë zgjidhje për kushtet e banimit. Në vitin 2023, 12.7% e popullsisë shqiptare jetonte në kushte të privimit të rëndë nga strehimi, duke e renditur Shqipërinë të tretën mes vendeve europiane të mbuluara nga të dhënat e Eurostat. Vendin e parë e mban Turqia me 19.7% dhe të dytin Mali i Zi me 14.6%. Përkundrazi, mesatarja në Bashkimin Europian ishte vetëm 4%.
Ky kontrast bëhet më i theksuar kur krahasohet ritmi i ndërtimeve me situatën aktuale të banimit. Në vitin 2025, sektori i ndërtimit përbënte 12.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë, ndërsa në Bashkimin Europian ky tregues arrinte në 5%. Kjo do të thotë se pesha e sektorit të ndërtimit në ekonominë shqiptare ishte rreth 2.5 herë më e lartë se mesatarja e BE-së dhe më e madhe se në çdo vend tjetër europian të përfshirë në statistikat e Eurostat.
Megjithatë, oferta e madhe e banesave të reja nuk përputhet me fuqinë blerëse të familjeve. Problemi i përballueshmërisë së banesave është veçanërisht i theksuar në Tiranë. Sipas një renditjeje të Numbeo për tregun e pronave, kryeqyteti shqiptar renditet i katërti më pak i përballueshëm mes kryeqyteteve europiane për blerjen e një banese, pas Moskës, Lisbonës dhe Pragës. Raporti mes çmimit të pronës dhe të ardhurave në Tiranë është rreth 16.9, duke e vendosur qytetin përpara kryeqyteteve si Beogradi dhe Parisi në këtë aspekt. Ky raport tregon se, edhe pse apartamentet mund të jenë më të lira në euro se në një kryeqytet të pasur europian, ato janë shumë më të shtrenjta në raport me të ardhurat e banorëve vendas.
Çfarë është privimi i rëndë nga strehimi?
Eurostat e klasifikon një person në privim të rëndë nga strehimi nëse ai jeton në një banesë të mbipopulluar dhe, njëkohësisht, përballet me të paktën një problem serioz me banesën. Këto probleme përfshijnë:
- Një çati që rrjedh.
- Mungesa e banjës ose dushit brenda shtëpisë.
- Mungesa e tualetit brenda shtëpisë.
- Një banesë me ndriçim natyror të pamjaftueshëm.
Këto të dhëna burojnë nga anketa europiane EU-SILC mbi të ardhurat dhe kushtet e jetesës dhe matin numrin e personave që jetojnë në banesa me hapësirë dhe kushte të papërshtatshme. Ky dallim është kyç në rastin e Shqipërisë, ku ndërtimet e reja janë shtuar me ritme të shpejta, ndërsa një pjesë e stokut ekzistues vijon të ketë probleme dhe blerja e një prone të re mbetet sfidë për familjet me të ardhura mesatare ose të ulëta.
Eurostat e trajton privimin e rëndë nga strehimi si pjesë të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, veçanërisht Objektivit 11 për qytete dhe komunitete të qëndrueshme. Treguesi vlerëson nëse familjet jetojnë në banesa të përshtatshme dhe ndihmon në matjen e pabarazive në kushtet e jetesës. Sipas Eurostat, banesat e papërshtatshme lidhen me pabarazi shëndetësore, mundësi më të kufizuara në jetë dhe ekspozim më të lartë ndaj varfërisë.
Ballkani Perëndimor: Mali i Zi më keq se Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut më poshtë
Në Ballkanin Perëndimor, situata më problematike paraqitet në Malin e Zi, ku 14.6% e popullsisë ishte në privim të rëndë nga strehimi në vitin 2023. Shqipëria renditet menjëherë pas tij me 12.7%. Në Serbi, norma ishte 7.4%, ndërsa në Maqedoninë e Veriut 7.1%. Për Kosovën, Eurostat nuk jep të dhëna për vitin 2023.
Bashkimi Europian: Dallimet mes vendeve mbeten të mëdha
Brenda Bashkimit Europian, privimi i rëndë nga strehimi ka shënuar një rënie graduale, nga 6.1% e popullsisë në vitin 2010 në 4.3% më 2018 dhe 4% në 2023. Eurostat e konsideron këtë një përmirësim të ndjeshëm të cilësisë së banesave, megjithëse problemet mbeten të përqendruara në disa vende dhe te familjet me të ardhura të ulëta.
Në vitin 2023, mes vendeve të BE-së, Letonia kishte nivelin më të lartë të privimit të rëndë nga strehimi, me rreth 9.4%, e ndjekur nga Rumania me 6.8%, Greqia me 6%, Bullgaria me 5.9% dhe Portugalia me 5.8%. Në skajin tjetër, normat ishin më të ulëta: rreth 0.5% në Irlandë, 0.8% në Finlandë, 0.9% në Qipro, 1% në Holandë dhe 1.1% në Belgjikë.
Eurostat sqaron se për shumë vende, të dhënat e vitit 2023 janë të vlerësuara.
