Bursa Bujqësore: Më shumë fuqi dhe alternativa për fermerët

Salla: Bursa Bujqësore, më shumë alternativa dhe fuqi negociuese për fermerët në shitjen e prodhimit

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, ka prezantuar një iniciativë të re për ngritjen e Bursës Bujqësore. Ky mekanizëm i ri synon të përmirësojë mënyrën se si fermerët lidhen me tregun, duke u ofruar atyre më shumë informacion dhe alternativa në momentin e shitjes së prodhimit.

Përmes Bursës Bujqësore, blerësit me shumicë do të kenë mundësinë të deklarojnë produktet që kërkojnë, duke specifikuar sasinë, cilësinë dhe çmimin që janë të gatshëm të ofrojnë. Nga ana tjetër, fermerët do të mund të shohin dhe krahasojnë këto oferta, duke zgjedhur atë që u leverdis më shumë.

“Kalojmë nga pyetja ‘sa është çmimi?’ në fazën ku shtrohet pyetja ‘kush po e blen dhe cila është oferta më e mirë?’. Çdo ditë, përmes Bursës Bujqësore, ky informacion do të jetë i aksesueshëm për fermerët, duke i lidhur ata drejtpërdrejt me kërkesën reale të tregut”, theksoi Ministri Salla.

Sipas tij, mekanizmi i ri ka për qëllim krijimin e një tregu më transparent, të organizuar dhe konkurrues. Njëkohësisht, synon të rrisë fuqinë negociuese të fermerëve përballë blerësve.

“Ne duam që fermeri të mos jetë vetëm përballë një oferte, por të ketë mundësinë të zgjedhë mes ofertave. Kur ka më shumë alternativa, ka më shumë mundësi për të arritur një çmim më të mirë dhe më të drejtë për punën e fermerit”, nënvizoi Salla.

Ministri theksoi se Bursa Bujqësore është një përgjigje ndaj një prej shqetësimeve më të shpeshta të fermerëve, atij lidhur me çmimin me të cilin shitet prodhimi i tyre.

“Bursa Bujqësore përfaqëson një hap të ri drejt një tregu më të fortë dhe më të drejtë për fermerin shqiptar”, përfundoi Ministri Salla.

Scroll to Top