Modernizimi i ujërave të ndotura Durrës: 85M€ grant nga BE

Karakaçi: Nis modernizimi i impiantit të ujërave të ndotura në Durrës, 85 milionë euro grant nga BE-ja

Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi, ka njoftuar fillimin e punimeve në Durrës për një nga projektet më të rëndësishme të modernizimit të sistemit të trajtimit të ujërave të ndotura dhe rehabilitimit të rrjetit të kanalizimeve në qytet.

Sipas ministrit Karakaçi, projekti gëzon mbështetjen e një granti prej rreth 85 milionë eurosh nga Bashkimi Evropian. Ky grant, sipas tij, përfaqëson financimin më të madh të dhënë ndonjëherë nga BE-ja për një projekt të vetëm në Shqipëri. Financimi do të plotësohet edhe nga Agjencia Franceze për Zhvillim.

“Nisim sot në Durrës punimet për një nga investimet më të rëndësishme për qytetin dhe për transformimin e sistemit të trajtimit të ujërave të ndotura. Ky projekt, i mbështetur me grantin më të madh të dhënë nga Bashkimi Evropian për një projekt në Shqipëri, prej rreth 85 milionë eurosh, së bashku me financimin e Agjencisë Franceze për Zhvillim, do të mundësojë modernizimin dhe zgjerimin e impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura, si dhe rehabilitimin e rrjeteve të kanalizimeve në Durrës,” deklaroi ministri.

Projekti ka si qëllim përmirësimin e kapaciteteve për trajtimin e ujërave të ndotura dhe përfshin ndërhyrje thelbësore në rrjetin e kanalizimeve të qytetit.

Karakaçi e konsideroi financimin evropian si një dëshmi të qartë të përfitimeve që sjell afrimi i Shqipërisë me Bashkimin Evropian, duke theksuar se financimet pritet të rriten në vitet e ardhshme.

“Kjo është një dëshmi e qartë e përfitimeve nga afrimi me Bashkimin Evropian, dhe këto financime do të vijojnë duke u zgjeruar çdo vit që ne afrohemi drejt Bashkimit Evropian,” u shpreh ai.

Sipas ministrit, projekti do të zhvillohet në disa faza. Faza e dytë e tij parashikon zgjerimin e rrjetit të kanalizimeve në zonat Shkozet, Porto Romano dhe Spitallë, ndërsa edhe kjo pjesë do të mbështetet financiarisht nga Bashkimi Evropian.

“Por kjo është vetëm faza e parë. Faza e dytë e projektit parashikon zgjerimin e rrjetit të kanalizimeve në Shkozet dhe në zonën e Porto Romanos, Spitallë, ku përsëri mbështetemi nga Bashkimi Evropian, i cili financon përmes grantit rreth dy të tretat e vlerës së investimit,” shtoi Karakaçi.

Në total, projekti parashikon ndërtimin e rreth 113 kilometrave rrjete të reja kanalizimesh, ndërtimin e katër stacioneve pompimi dhe rreth 13 mijë lidhje të reja kanalizimesh.

Ministri bëri gjithashtu të ditur se për tre vitet e ardhshme, periudha 2027–2030, është siguruar financimi për projekte të tjera në fushën e trajtimit të ujërave të ndotura, me një vlerë totale prej rreth 330 milionë eurosh.

“Ky projekt dhe këto financime janë dëshmi e qartë e angazhimit të plotë të qeverisë për investimin në rrjetin e ujësjellësit, kanalizimeve dhe trajtimit të ujërave të ndotura,” përfundoi ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës. /rtsh.al/

Scroll to Top