Aktivistja Arvina Lleshi përballet me deputetin e PS-së pas shoqërimit nga policia
Pas protestës së zhvilluar dje para Kuvendit të Shqipërisë, rreth 20 qytetarë u shoqëruan nga policia e Tiranës dhe më pas u liruan. Përplasjet mes protestuesve dhe policisë, hedhja e vezëve dhe domateve drejt deputetëve, si dhe bllokimi i akseve rrugore, çuan në shoqërimin e protestuesve.
Ndërsa shumica e të shoqëruarve u liruan, në orët e para të mëngjesit të sotëm, aktivistja Arvina Lleshi u shoqërua në komisariat nga policë të veshur civilë, të cilët e zbritën nga taksia me të cilën udhëtonte.
Lleshi u përball të martën me deputeten e PS-së, Iris Luarasi, teksa kjo e fundit po shkonte drejt Kuvendit. Aktivistja i drejtoi deputetes kritika, duke i quajtur disa nga ato “hajdute dhe kriminele”, çka bëri që të kishte reagime edhe nga kryeministri Rama.
Në një video të shpërndarë nga Lleshi, ajo tregon shenjat e dhunës që, sipas saj, i janë shkaktuar gjatë shoqërimit me forcë në komisariat. Aktivistja u përball me deputetin e PS-së, Eljo Mile, në korridoret e universitetit, duke i kërkuar atij të ngrejë zërin kundër dhunës ndaj grave.
“Këto shenja më janë bërë me urdhër të Iris Luarasit dhe shefit tënd, Edi Rama. Jam marrë forcërisht nga policia dhe civilët. Ngri zërin për të drejtat e njeriut dhe të grave,” i tha Lleshi deputetit të PS-së për qarkun e Fierit.
Pjesë nga debati:
Arvina Lleshi: Shiko këto shenjat e dhunës. Këto m’u bënë dje me urdhër të Iris Luarasit dhe shefit tënd, Edi Rama.
Eljo Mile: Më vjen keq për këtë, mbi të gjitha edhe si njerëz që njihemi.
Arvina Lleshi: Pse nuk reagon kur dhunohet femra?
Eljo Mile: Më vjen shumë keq, pastaj sesi ka precipituar gjëja. Nuk duhet të kishte ndodhur…
Arvina Lleshi: Janë bërë me urdhër të Iris Luarasit dhe Edi Ramës. Jam marrë forcërisht nga policia dhe nga civilët. Ngri zërin për të drejtat e njeriut dhe të grave.
Eljo Mile: Për komunitetin tim patjetër që e ngre zërin. Unë mendoj që nuk duhet të precipitojë kështu.
Arvina Lleshi: Thuaja Luarasit, Ramës dhe Belindës.
Eljo Mile: Unë mendoj që dhuna nuk është asnjëherë zgjidhje, siç mendoj që të gjithë kanë të drejtë të protestojnë.
Arvina Lleshi: Do dorëhiqesh të bashkohesh me popullin? S’të lë Bela ty. Bela të futi ty.
Eljo Mile: Unë mendoj ndryshe nga ty dhe nuk do të thotë që e kam gabim.
