“`html
Azilet kërkojnë staf jashtë vendit, filipinasit dhe tunizianët pritet të kujdesen për të moshuarit
Shqipëria po përballet me një mungesë gjithnjë e më të theksuar të fuqisë punëtore në shumë sektorë të ekonomisë, teksa vakancat e stafit po prekin edhe sektorin e kujdesit ndaj të moshuarve. Përveç mungesës së mjekëve geriatër, qendrat private për të moshuarit po hasin vështirësi edhe në gjetjen e kujdestarëve vendas.
Emigracioni dhe largimi i fuqisë punëtore po shtyjnë drejtuesit e këtyre qendrave të shqyrtojnë mundësinë e punësimit të shtetasve të huaj. Filipinet dhe Tunizia po shihen si burime të reja punësimi.
Hysni Kuka, drejtues i një qendre për të moshuarit në Tiranë, ka deklaruar për “Monitor” se po shqyrton mundësinë e punësimit të dy shtetasve nga Filipinet. Shkak kryesor, sipas tij, është përballja me vështirësi në gjetjen e punonjësve vendas, fenomen i lidhur kryesisht me emigracionin.
Një qendër tjetër për të moshuarit në Sauk po shqyrton mundësinë e punësimit të dy shtetaseve nga Tunizia, me profesion infermiere. Sipas drejtuesve të qendrës, të kontaktuar nga “Monitor”, punonjëset kanë punuar më parë në Shqipëri, në sektorin e shërbimeve gjatë sezonit turistik. Megjithatë, shqyrtimi i mundësisë për punësimin e tyre në kujdesin ndaj të moshuarve po shoqërohet me një sërë pikëpyetjesh, veçanërisht sa i përket kualifikimit profesional dhe mosnjohjes së gjuhës shqipe.
“Mungesa e stafit po na vështirëson shumë vijimin e aktivitetit. Jemi në vështirësi për gjetjen e punonjësve. Shkak është emigracioni, si kudo. Për këtë arsye jemi të detyruar të shohim mundësinë për punësimin e shtetasve të huaj. Por edhe për punësimin e tyre nuk jemi shumë optimistë, e shohim si problem mosnjohjen e gjuhës shqipe, mosnjohjen e procedurave për punësimin e tyre, por edhe mungesën e qëndrueshmërisë, pasi këta punonjës mund të largohen edhe pa na njoftuar,” shprehen drejtuesit e qendrës.
Sipas të dhënave të tregut, pagat neto për kujdestarët në qendrat për të moshuarit variojnë nga rreth 55 mijë, 60 mijë deri në 70 mijë lekë në muaj, për një orar pune prej 8 orësh. Ndërsa në shtëpitë private për të moshuarit, tarifat mujore, sipas drejtuesve, nisin nga 70 mijë lekë – 100 mijë lekë në muaj deri në 120 mijë lekë në muaj, në varësi të gjendjes shëndetësore të të moshuarit. Ndërkohë, nëse një familje punëson një kujdestar të moshuarish në shtëpi, tarifat nisin nga 50 mijë lekë, 60 mijë lekë deri në 80 mijë lekë në muaj për 6 orë punë.
Nevoja për punonjës të huaj nuk kufizohet vetëm te bizneset dhe qendrat e kujdesit për të moshuarit. Punësimi i shtetasve të huaj është zgjeruar edhe në familjet shqiptare. Shtetase nga Filipinet po punësohen për kujdesin ndaj fëmijëve si dado, për kujdesin ndaj të moshuarve, si dhe për mirëmbajtjen e shtëpive.
Të dhënat e Regjistrit Elektronik për të Huajt, të ofruara për “Monitor” nga Policia e Shtetit, tregojnë se deri në qershor 2026, numri i shtetasve të huaj të punësuar në Shqipëri arriti në 22,6 mijë, nga 18,1 mijë në dhjetor 2025. Rritja e punësimit të të huajve është një tendencë që është forcuar vitet e fundit. Vetëm gjatë vitit 2025, numri i tyre u rrit me 43,4% krahasuar me vitin 2024.
Rreth 90% e shtetasve të huaj të punësuar në vitin 2026, ose rreth 20,3 mijë persona, janë të pajisur me leje unike si punëmarrës. Ndërsa rreth 10%, ose 2,361 shtetas, janë të regjistruar si të vetëpunësuar.
Në mesin e punëmarrësve të huaj dominojnë shtetasit nga Filipinet, India dhe Egjipti. Për këto tri vende janë miratuar gjithsej 10,258 leje unike, ose rreth gjysma e totalit. Filipinasit kryesojnë listën. Deri në qershor 2026, 3,552 shtetas nga Filipinet ishin të pajisur me leje pune në Shqipëri, duke përbërë rreth 16% të totalit të të huajve të punësuar. Pas tyre renditen shtetasit indianë me 3,423 të punësuar, ndërsa nga Egjipti janë regjistruar 3,283 të punësuar. Më tej renditen Turqia me 1,503 leje unike dhe Italia me 1,306 leje. Ndër shtetet e tjera janë SHBA-ja me 619 leje, Indonezia me 229 dhe Kina me 212.
“`
