Investim 9 Hektarë në Durrës për Turizmin me 1 Euro

Investim strategjik në Durrës: Qeveria dhuron 9 hektarë tokë shtetërore për 1 euro

Qeveria ka miratuar dhënien në dispozicion të rreth 9 hektarëve tokë shtetërore në Durrës, shoqërisë “Omnix Albania”, për të mbështetur një investim strategjik në sektorin e turizmit.

Vendimi përfshin tre pasuri të paluajtshme shtetërore, me një sipërfaqe totale prej 90,030 metra katrorë, në zonën kadastrale 1522 të Bashkisë Durrës. Këto prona, të cilat ndodhen në zona prioritare për zhvillimin e turizmit, do t’i jepen kompanisë me anë të një marrëveshjeje përdorimi, me tarifë simbolike prej 1 euro.

Njëkohësisht, qeveria miratoi edhe projektmarrëveshjen që do të lidhet ndërmjet Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe “Omnix Albania”. Dhënia në përdorim e këtyre pasurive bëhet “në mbështetje të investimit strategjik në fushën e turizmit”, duke u bazuar në ligjin për investimet strategjike dhe ligjin për turizmin, si dhe rregulloret për përdorimin e pronave shtetërore në zonat prioritare për turizmin.

“Omnix Albania”, e regjistruar në vitin 2008 me seli në Gjirin e Lalzit, Durrës, ka si objekt të aktivitetit të saj zhvillimin e pasurive të paluajtshme, investimet në infrastrukturë dhe turizëm, si dhe punimet e ndërtimit.

Sipas të dhënave të regjistrit tregtar, 50% e kapitalit të “Omnix Albania” është në pronësi të “Klar”, ndërsa “Matrix Konstruksion” dhe “Blessed Investment” zotërojnë nga 17.5% secila, dhe “RDA Petrol” 15%.

Për zbatimin e këtij vendimi janë ngarkuar Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe “Omnix Albania”.

Scroll to Top