KPP mund të pezullojë dhe shpallë të pavlefshme kontratat PPP, ankim brenda gjashtë muajve
Qeveria miratoi në mbledhjen e fundit rregullat që i japin Komisionit të Prokurimit Publik (KPP) kompetencën për të shqyrtuar pavlefshmërinë e kontratave të koncesionit dhe partneritetit publik privat (PPP), në zbatim të ligjit nr. 88/2025.
Operatorët ekonomikë do të kenë mundësinë të ankimojnë një kontratë brenda gjashtë muajve nga dita pas nënshkrimit të saj. Me marrjen e ankesës, KPP-ja do të vendosë pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të kontratës deri në marrjen e një vendimi përfundimtar, përveç rasteve kur pezullimi cenon çështje thelbësore të interesit të përgjithshëm.
KPP-ja mund ta shpallë kontratën absolutisht të pavlefshme kur konstaton kushtet e parashikuara në nenin 72 të ligjit. Kostot që lidhen me vonesat, zhvillimin e një procedure të re, ndryshimin e operatorit apo detyrimet që lindin nga pavlefshmëria nuk konsiderohen, sipas vendimit, arsye të mjaftueshme të interesit të përgjithshëm për ta mbajtur kontratën në fuqi.
Në rastet kur kontrata nuk shpallet e pavlefshme, Komisioni mund të shkurtojë afatin e saj ose të gjobisë autoritetin kontraktor, me masë deri në 10% të vlerës së kontratës.
Në një vendim të dytë, qeveria përcaktoi rregullat e komunikimit elektronik për procedurat konkurruese. “Publikimi i dokumenteve të procedurave konkurruese të koncesionit dhe dorëzimi i ofertave” do të kryhen elektronikisht, ndërsa për PPP-të do të zbatohen rregullat e legjislacionit të prokurimit publik.
Vendimi i ri shfuizon rregullat e vitit 2014 për procedurat elektronike dhe, së bashku me aktin për pavlefshmërinë e kontratave, do të hyjë në fuqi me ligjin nr. 88/2025 për koncesionet dhe partneritetin publik privat.
